Shqipëria u rendit e parafundit në Europë, duke lënë pas vetëm Maltën për shërbimet e dobëta në kujdesin shëndetësor sipas indeksit që ndërtoi data baza e të dhënave mbi kualitetin e jetës “Numbeo” për vitin 2022.
Shqipëria u vlerësua me vetëm 50.5 pikë për cilësinë e shërbimeve dhe 87.9 pikë për shpenzimet me të cilat përballen qytetarët.
Në rajon Shqipëria u rendit e fundit si për indeksin e shërbimeve dhe atë të shpenzimeve buxhetore krahasuar me Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjën, Kosova dhe Mali i Zi nuk ishin të përfshira në këtë indeks.
Nga të dhëna më të detajuara të indeksit në Shqipëri rezultoi se vlerësimin më të e lartë e kanë marrë afërsia gjeografike e shërbimeve shëndetësore me 66 pikë dhe aftësitë e doktorëve me 54,3 pikë, ndërkohë që pikët më të ulëta kanë marrë cilësia e dobët e pajisjeve mjekësore, koha e pritjes dhe kosto e shërbimeve.
Shqipëria është një nga vendet që ka pasur rritjen më të lartë të jetëve të humbura si rrjedhojë e pandemisë së Covid-19. Të dhënat krahasuese të Eurostat dhe statistikave kombëtare rajonale tregojnë Shqipëria, së bashku me dy vendet e tjera të rajonit, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut janë tre shtetet që kanë shënuar rritjen më të lartë të vdekshmërisë shtesë që nga marsi i vitit 2020, kur pandemia “pushtoi” gradualisht Europën deri në shtator 2021.
Të dhënat e tjera kombëtare të INSTAT bëjnë të ditur se në vend. që nga prilli 2020, kur vala e pandemisë filloi të jepte pasojat e para në Shqipëri deri në fund të shtatorit 2021, janë shënuar rreth 11 mijë vdekje shtesë në krahasim me mesataren e periudhave përkatëse 2016-2019.
/5pyetjet.al