Përmes një shkrimi në ‘facebook’ sot, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kreu i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka bërë njoftim se dega e LDK-së në Podujevë bashkë me kreun e partisë, Lumir Abdhixhiku, kanë thirrur mbrëmë një Kuvend të jashtëzakonshëm të degës së Podujevës.
Veliu thotë se duke qenë se kuvendi është i paligjshëm nuk do të marrë pjesë në një farsë të tillë.
“Duke qenë se kuvendi i sotëm është kundërstatutar dhe i paligjshëm, të dashur veprimtarë dhe anëtarë të LDK-së, ju njoftoj se nuk do të marr pjesë në një farsë të tillë, ku do të tentohet të kontrabandohet një kryetar i ri, që nuk është as pjesë e strukturave të degës sonë”, ka shkruar Veliu.
Agim Veliu thotë se një veprim i tillë nga Abixhiku dhe anëtarët e tjerë të degës së Podujevës do të çojë në shkatërrimin e atij që Veliu e quan “bastioni i fundit i LDK’së”.
“Kjo që po bën Abdixhiku, me misionarët anti LDK të mbledhur rreth vetes, nuk është asgjë tjetër veçse një proces i shkatërrimit të degës në Podujevë, bastionit të fundit të LDK-së”,shton Veliu.
/5pyetjet.al