Ministri i Jashtëm Bujar Osmani dhe Zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane Bojan Mariçiq ndërkohë javën e ardhshme udhëtojnë në Bruksel dhe Paris për të shpjeguar qasjen e re me Bullgarinë në mënyrë që të shohin nëse ajo përshtatet me planin e presidencës franceze. Pendarovski theksoi se do të mundohet të japë kontribut personal në proces
Xhenur ISENI
Shkup, 29 janar – Brenda një muaji Presidenti Stevo Pendarovski do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Sofje, ku do të takohet me homologun e tij bullgar Rumen Radev, me qëllim që krerët e dy shteteve të japin një kontribut pozitiv në tejkalimin e kontestit mes dy vendeve. Ministri i Jashtëm Bujar Osmani dhe Zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane Bojan Mariçiç ndërkohë javën e ardhshme udhëtojnë në Bruksel dhe Paris për të shpjeguar qasjen e re me Bullgarinë në mënyrë që të shohin nëse ajo përshtatet me planin e presidencës franceze. Pendarovski theksoi se do të mundohet të japë kontribut personal në proces, sepse konsideron se është e rëndësishme që çdo institucion politik në të dyja vendet të japë kontributin e tij, duke shtuar se përfundimi me sukses i këtij procesi është interes strategjik i të dyja vendeve. Ai përshëndeti qasjen e re për zgjidhjen e çështjes, duke theksuar se jemi ende në fazën fillestare në të cilën të dyja palët shprehin dëshirat e mira që procesi të zhvillohet, por, sipas tij, janë ende larg nga thellësia e procesit dhe përfundimi të saj. Sipas Pendarovskit, nëse vendi nuk fillon negociatat me BE-në këtë vit, do të kompletojë 17 vjet pritje në derë, gjë që do ta afrojë dukshëm me rekordin famëkeq të Turqisë. Ai tha se BE-ja nuk ka arsye racionale, strategjike apo taktike të frikësohet nga hyrja e Ballkanit Perëndimor, sepse efekti ekonomik dhe demografik i të gjashtë vendeve do të ishte shumë më i vogël se hyrja e çdo shteti tjetër që është bërë anëtarë.
“Integrimi ekonomik duhet të shkojë paralelisht me integrimin politik. Nëse këto procese lëvizin veçmas, pasi ka angazhime, mund të ketë një rritje ekonomike, por të udhëhiqemi nga autokratë. Baza për këtë është vendosur, retorika mediatike antiperëndimore në të gjithë rajonin po rritet me shpejtësi dhe tenton të bëhet dominuese nëse nuk është më, dhe si rajon ne po shkojmë prapa në demokraci”, tha dje Presidenti Pendarovski.
Ai potencoi se zgjerimi në tërësi ka qenë de fakto i ngrirë për disa vite. Nëse jemi realistë, duhet të themi se BE-ja, për fat të keq, është ende e orientuar nga brenda dhe ka debate se si duhet të duket e ardhmja e Evropës. Lidhur me qëndrueshmërinë e kursit të politikës së jashtme të Maqedonisë së Veriut, ai tha se fatkeqësisht ka tendenca negative, duke theksuar se pa mbështetjen e qytetarëve, kursi i politikës së jashtme nuk mund të jetë i qëndrueshëm, kurse segment i rëndësishëm për qëndrueshmëri është edhe lufta kundër klientelizmit dhe korrupsionit. Sipas tij, lajme të mira vijnë nga të dy “motorët”, Gjermania dhe Franca. Qeveria e re gjermane vazhdon të mbështesë me ritme të qëndrueshme integrimin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht të vendit, dhe Franca, pavarësisht se do të ketë zgjedhje presidenciale, po vepron me një retorikë krejt tjetër. Ambasadori francez në vend Siril Bomgartner, në tryezën e rrumbullakët për Maqedoninë e Veriut, tha se Parisi mbetet i mobilizuar dhe do të përpiqet të ndihmojë në lehtësimin e procesit për fillimin sa më të shpejtë të negociatave me BE-në. Në kuadër të integrimeve evropiane, ai iu referua edhe Konferencës për Ballkanin Perëndimor në kuadër të presidencës franceze, e cila u paralajmërua nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron për në qershor të këtij viti.
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq theksoi se shpreson që perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor të mbetet ndër prioritetet e BE-së, por kësaj radhe me një rezultat real – fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Mariçiq potencoi se vendi ka vite që është në proces dhe sidomos pesë vitet e fundit ka treguar një qasje të ndershme dhe të hapur në zbatimin e reformave, veçanërisht në fushat kyçe. Raportet evropiane, tha ai, konfirmojnë pa mëdyshje se ne jemi të suksesshëm dhe ecim përpara.
Çdo vonesë në fillimin e negociatave, tha Mariçiq, do të demotivojë, ndërsa do të demotivojë edhe vendet në rajon që kanë çështje të hapura bilaterale, gjë që hap mundësinë për regres të procesit reformues dhe stagnim të evropianizimit të shoqërive. Ai iu referua gjithashtu problemit me Bullgarinë, duke vënë në dukje edhe një herë se një nivel i ri bashkëpunimi po fillon. “Ne nuk duhet të lejojmë që çështjet e hapura të vazhdojnë të rëndojnë marrëdhëniet tona bilaterale dhe integrimin tonë evropian, as të pengojnë rrugën tonë të integrimit evropian. Por, përveç që fillimi i negociatave është interesi ynë kombëtar, edhe ruajtja e gjuhës dhe e identitetit”, tha Mariçiq. Është bërë kujdes, tha Mariçiq, për gjithçka që është miratuar nga Parlamenti si Deklaratë dhe vija të kuqe. “Synimi ynë është anëtarësimi i plotë duke ruajtur gjuhën dhe identitetin. Për këto arsye, tani është e rëndësishme që Unioni të japë dritën jeshile për fillimin e negociatave dhe, siç tha Varhei, vetëm atëherë BE do të konfirmojë se integrimi i rajonit është një prioritet dhe interes gjeostrategjik dhe çdo vonesë e mëtejshme mund të rrezikojë më tej kredibilitetin e BE-së. Reformat në vend janë prioritet, por negociatat dhe fillimi sa më i shpejtë i tyre do të ndikojë në proceset politike në vend, do të jetë një stimul për agjendën evropiane dhe një optimizëm më i madh tek qytetarët që në mënyrë legjitime shfaqin dyshime për arritjen e qëllimeve tona”, ka thënë Mariçiq.
Ambasadori i BE-së në Shkup, David Gir theksoi gjithashtu se fillimi i negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë mbetet një prioritet kryesor për BE-në dhe tani fokusi është në arritjen e një marrëveshjeje midis vendeve anëtare për kornizën negociuese, ndërsa Sofja dhe Shkupi punojnë për të arritur një marrëveshje për kontestin. Gir theksoi se nuk e ka topin magjik për të ditur se çfarë do të ndodhë këtë vit, por shprehu besimin se sido që të ndodhë, BE-ja do të qëndrojë pranë nesh dhe do të ndihmojë në çdo nivel dhe në çdo hap të rrugës. Ai gjithashtu përshëndeti kontaktin e ri intensiv midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, për të cilin tha se ofroi një “nxitje të re për marrëdhëniet bilaterale” dhe se BE-ja mbështeti Sofjen dhe Shkupin për të përdorur momentin për të gjetur një zgjidhje të pranueshme reciproka e cila do t’i hapë rrugën konferencës së parë ndërqeveritare që të mbahet sa më shpejt.
Ministri i Jashtëm Bujar Osmani, ndërkaq, në një paraqitje televizive mbrëmë tha se nuk mund të thotë se cikli i dytë i procesit të zgjidhjes së çështjes me Sofjen do të jetë njëqind për qind i suksesshëm, por se po hyjmë me ndershmëri dhe me përkushtim të gjendet një zgjidhje sepse perspektiva evropiane është e rëndësishme për përparimin e përgjithshëm. Osmani ritheksoi se dy qeveritë ranë dakord që të nisin një dinamikë të re të procesit me platformë për kthimin e besimit përmes komunikimit dhe bashkëpunimit të shpeshtë.
NGA TETË DITË SI KRYEMINISTËR, KOVAÇEVSKI KATËR I KA KALUAR NË QEVERINË BULLGARE
Dimitar Kovaçevski është vetëm një javë kryeministër i Maqedonisë së Veriut dhe nga ato tetë ditë ka kaluar katër në Qeverinë bullgare, tha kryeministri bullgar Kiril Petkov, duke iu referuar deputetëve bullgarë. Ai shtoi se një numër i madh ministrash nga Maqedonia e Veriut kanë mbërritur në Sofje dhe do të bëjnë përparim në një sërë fushash. “Ne nuk e injorojmë në asnjë mënyrë qëndrimin bullgar. Biseduam edhe për temat që janë të rëndësishme për ne sipas qëndrimit Kornizë”, u përgjigj Petkov në pyetjen e ish-ministres së Punëve të Jashtme, Ekaterina Zakharieva. Petkov theksoi se kryeministri Kovaçevski tha se nuk sheh ndonjë problem në përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. “Ai nuk ndau një kohë kur do të ndodhë kjo, por gjithsesi e tha. Gjithashtu, nuk po flasim më për 5 + 1, por për 4 + 1 dhe vetëm për dy javë”, tha Petkov. Ai theksoi se së bashku do ta festojnë 4 shkurtin, ditën e lindjes së revolucionarit Goce Dellçev.