Kur parlamentin i kanë mbetur edhe 3 javë kohë për të miratuar zgjatjen e afateve të organeve të vettingut, Taulant Balla, u pyet këtë të hënë nëse mazhoranca do të zhvillojë negociata me opozitën mbi këtë çështje. Balla u shpreh se kjo nuk është një nismë e PS dhe për këtë arsye të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm në seancë dhe të votojmë pro zgjatjes së afateve.
“Zgjatja e mandatit të organeve të vettingut nuk është një çështje që nuk ka lidhje me bindjet politike, as e krahë politike. Kjo është një çështje që ka të bëjë me çuarjen përpara të një prej pilonëve kryesorë të reformës në drejtësi. Pa vettingun, ne nuk do të kishim sot një drejtësi të pastruar nga elementët ose me lidhje korruptive ose me njerëz që nuk justifikojnë pasurinë.
Iniciativa për zgjatjen e këtyre afateve, nuk është një iniciative e PS, por një domosdoshmëri për të çuar përpara këtë proces. Unë mendoj se përgjegjësia e secilit të deputetëve, na detyron të jemi në sallën e kuvendit dhe ta votojmë”, u shpreh Balla.