Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet qeverisë dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për zbatimin e lehtësive doganore dhe të kontrollit të hyrje-daljeve të mallrave.
Projektligji për këtë marrëveshje është miratuar fillimisht në mbledhjen e 56-të të qeverisë së Kosovës, më datë 26 janar 2022.
Ligji hyn në fuqi në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Gjatë janarit edhe qeveria e Shqipërisë ka miratuar projektligjin e marrëveshjes me Kosovën për zbatimin e lehtësive doganore dhe kontrollit të hyrje-daljeve së mallrave.
Kjo është një marrëveshje e nënshkruar në mbledhjen e përbashkët midis dy qeverive në nëntor të vitit të kaluar. Ajo parashikon lehtësimin e tregtisë midis dy vendeve duke njohur të gjitha licencat në pikat doganore, duke unifikuar kontrollet e vetëm një vendi e duke ulur kohën e kontrollit.
Marrëveshja parashikon çeljen e pikës doganore të Kosovës, në portin e Durrësit dhe lehtësitë që ajo do të sjellë.