Nga foltorja e Kuvendit, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka folur edhe për operacionin e madh të zhvilluar dy ditë më parë, ku u vunë në pranga disa zyrtarë të burgjeve për favorizim ndaj personave të burgosur.
Ministri u shpreh se operacione të tilla do të kthehen në një punë të përditshme. “Një operacion i suksesshëm për goditjen e një grupi kriminal brenda e jashtë sistemit të burgjeve, ku në rrjetën e këtij operacioni janë arrestuar dhe disa punonjës të policisë së burgjeve dhe në nivele të larta. Dua t’u siguroj që ajo që ndodhi dje ishte punë e nisur nga ne, drejtoria e burgjeve dhe SHKKB dhe prokuroria e Elbasanit, por s’do jetë aksion, s’do jetë as kalendar veprimtarish në drejtim të goditjes së veprave në burgje, por do jetë investim i përditshëm i të gjitha strukturave tona në zbatim të ligjit dhe forcimit të sigurisë në sistemin e burgjeve”.
Ai foli për reformat e ndërmarra dhe ato që të bëhen në vazhdim në sistemin peniteciar dhe kushtet për punonjësit. Ai deklaroi se nuk ka më asnjë rast të mospagesës për punën jashtë orarit dhe sigurimin e transportit për punonjësit që jetojnë larg institucionit ku punojnë.
“Zoti Piroli tani që flasim drejtoria e burgjeve është në riorganizim total. Synimi është të ristrukturojmë sistemin e karrierës në policinë e burgjeve duke përfafruar në atë të sistemit të policisë së shtetit. Qeveria ka filluar reformat. Sot që flasim kanë dalë aktet nënligjore dhe shumë shpejt do miratohet edhe rregullorja e re e burgjeve.