Pas seancës maratonë të së martës, këtë të enjte Gjykata Kushtetuese do të vazhdojë seancën për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Ndërkohë, me anë të një postimi në Facebook, kreu i shtetit lëshon një mesazh të shkurtër, ku shkruan: “Kryesorja në jetë të ruajmë 1 dhe të mos e kemi mendjen te shtimi i zerove, sepse pa 1 gjithçka zhbëhet në zero absolute”.
Seanca për shkarkimin e presidentit Meta u shty për sot pas kërkesës së përfaqësuesve të presidentit, të cilët do të paraqisnin pretendimet e tyre.
Më herët të martën, Gjykata Kushtetuese rrëzoi pretendimet e presidentit për përjashtimin e gjyqtarëve nën argumentin se nuk garantojnë një proces të paanshëm.
Sipas trupës gjykuese, asnjë nga gjyqtarët nuk është në kushtet e ndalimit.
Këshilltari për çështjet ligjore në Presidencë, Bledar Dervishaj u shpreh i sigurt të martën pas senacës se presidenti Ilir Meta nuk do të shkarkohet. Sipas tij nuk ka asnjë çështje për shkarkimin e kreut të shtetit.