Milan Radojçiç, i kërkuar për rastin e vrasjes së politikanit Oliver Ivanoviç, ka mundur t’i shpëtojë policisë së Kosovës.
Kjo ka ndodhur në pikën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Bërnjak.
Radojiçiç ishte vendosur në listën e të kërkuarve para disa ditëve, por ai ka arritur të arratiset kur po i verifikoheshin dokumentet për në kufi.
Rrethanat dhe mënyra se si ka arritur Radojçiç t’i japë makinës mbrapsht e të arratiset nuk janë të qarta, raportojnë mediat e Kosovës.
Radojiçiç ishte shpallur në kërkim për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviçit. Më pas ai ishte hequr nga lista e të kërkuar me vendim të prokurorit që po e heton çështjen. Pas një kohe Prokuroria Speciale e ka vendosur sërish në listën e personave të kërkuar.
Para disa javëve, SHBA e sanksionoi atë dhe disa zyrtarë të tjerë të Listës Serbe.
Njoftimi i policisë:
“PKK Bërnjak 03.02.2022 – 15:40. Një i dyshuar mashkull/serb (në hyrje në Kosovë), teksa zyrtarët policorë ishin duke e verifikuar, ai me makinë është kthyer në drejtim të Serbisë. Bazuar në verifikimin e kryer, i dyshuari është i kërkuar në bazë të urdhër arrestit të lëshuar nga gjykata”.