Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se deputetët e kësaj partie do të tërhiqen nga kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit.
Kjo erdhi pas publikimit të listës me emrat e deputetëve, që kanë shpenzuar qindra euro të fondeve publike për karburant.
Kusari-Lila ka thënë se do të kërkojë nga Kryesia e Kuvendit, rishikimin e vendimit për kompensimin e deputetëve.
“Aktualisht në legjislaturën e VIII të Kuvendit, janë 67 deputetë të cilët kanë të regjistruar vendbanimin jashtë Prishtinës dhe prej tyre 36 janë nga Lëvizja Vetëvendosje.
Me anë të këtij njoftimi duam të informojmë opinion publik, se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, si shumicë parlamentare, vullnetarisht do të tërhiqen nga kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit dhe njëkohësisht i bëjnë thirrje edhe deputetëve të tjerë të aplikojnë të njejtin standard. Gjithashtu, do të kërkojmë nga Kryesia e Kuvendit, rishikimin e vendimit për kompensimin e deputetëve”, shkruan Kusari-Lila.