Dy adoleshentë janë vënë në pranga nga policia në Durrës, pasi janë kapur me armë zjarri, ndërsa dyshohet se kanë qëlluar në ajër duke terrorizuar banorët.
Policia bën të ditur se në pranga janë vënë shtetasit K. B., 17 vjeç dhe G. P., 18 vjeç, të dy banues në Katund, Sukth, Durrës, si dhe u procedua penalisht një 16-vjeçar.
Gjatë operacionit, forcat policore kanë ndërhyrë me profesionalizëm, pasi njëri prej adoleshentëve, shtetasi K. B. kishte me vete armën e zjarrit kallashikov, me të cilën këta shtetas qëllonin në ajër.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të banesave, kanë gjetur dhe sekuestruar edhe një armë sportive pistoletë dhe një shkop metalik.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike” në ngarkim të dy shtetasve të arrestuar dhe “Mbajtja pa leje e armëve sportive” në ngarkim të shtetasit të proceduar.