-sidi education-spot_img
8.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Shqipëria si karikaturë republikano-monarkiste! Frustracioni gjenetik i rajait tek udhëheqësit hermafroditë të “Republikës”

Kryesoret

Nga Shaban Murati

Shënim nga blloku diplomatik

Ata, që vijnë nga tributë, jo vetëm nuk dinë të bëjnë shtet, por edhe nuk bëjnë dot dallimin midis republikës dhe monarkisë. Pas 110 vjet shtet i pavarur Shqipëria sot është shndrruar në një hibrid hermafrodit politik, të cilin mund ta përkufizosh si regjim republikano-monarkist, unik në botë.

Më gjeni një shtet republikan në Europë, ku strukturat zyrtare janë aq të dalldisur pas monarkizmit si në republikën e Shqipërisë. Unë kam jetuar pesë vjet në një monarki europiane dhe nuk e kam parë kurrë këtë ekzaltim monarkist si në qeveritë e Shqipërisë republikane.

Më gjeni një president të një shteti europian republikë, që merr si këshilltar të tij pretendentin monarkist, i cili në program ka objektivin të rrëzojë presidentin dhe republikën. Ka ndodhur vetëm në Shqipëri.

Me gjeni një Ministër të Jashtëm të një shteti europian republikë, që merr si këshilltar të tij pretendentin monarkist, që ka në program të rrëzojë republikën, dhe ministri thyen rekordin e idiotizmit republikano-monarkist, duke u dërguar notë zyrtare ambasadave të akredituara në Tiranë që pretendentit monarkist të Shqipërisë diplomatët e huaj duhet t‘i drejtohen me titullin “lartmadhëri”.

A ka çudi më të madhe që diplomacia e Republikës punon për monarkinë dhe ligjëron monarkinë? Ka ndodhur vetëm në Shqipëri.

Zyrtarisht Shqipëria aspiron të bëhet republikë demokratike europiane si Franca dhe Italia. A mund të imagjinohet që Franca republikane dhe Italia republikane të përfshijnë zyrtarisht ish-familjet e dëbuara mbretërore në protokollin zyrtar?

Në Francë dhe në Itali pinjollët e familjeve mbretërore nuk afrohen dot as te gardhi i institucioneve  shtetërore, kurse në Shqipërinë Republikane “trashëgimtarët e familjes mbretërore” qeveria i ka futur në protokollin zyrtar të Republikës.

Greqia e dëboi mbretin në 1973 dhe qeveria sociaiiste greke në 1994 i hoqi shtetësinë greke dhe pasaportën greke dhe i vuri kushtin që pasaporta i kthehet vetëm pasi mbreti të pranojë rezultatin e referendumit popullor për heqjen e monarkisë dhe vendosjen e republlikës. Mbreti grek u kthye në Greqi si qytetar i rëndomtë pas 46 vitesh dëbim.

Greqia i hoqi mbretit shtetësinë dhe pasaportën, por Shqipëria republikano-monarkiste i ka dhënë pasaportë diplomatike pretendentit monarkist, që aspiron për rrëzimin e republikës.

Italia e dëboi familjen mbretërore nga vendi në vitin 1946 dhe në vitin 1948 e futi në Kushtetutë nenin e ndalimit të kthimit në tyre në Itali. Vetëm pas mbi gjysëm shekulli anëtarët e asaj familje u lejuan të kthehen si qytetarë të zakonshëm në atdhe, pa asnjë lloj privilegji dhe trajtimi zyrtar. Vendimin për lejimin e kthimit të famijes së tyre në Itali e mori qeveria e Berluskonit në vitin 2002.

Franca dhe Italia kanë patur monarki të vërteta mbi njëmijë vjeçare, kurse Shqipëria siç shkruan Konti Çiano në kujtimet e tij, ka pasur një monarki operetash.

Është e kuptueshme se në Shqipërinë e rrumpallës të vitit 1913 ku kishte katër qeveri nga Vlora në Lezhë, një mashtrues gjerman klloun cirku, Otto Witte, që shëtiste nëpër Ballkan për çfaqje me një trupë të vogël cirku, kur mori vesh ngjashmërinë e madhe të fytyrës së tij me princin turk Halim të propozuar për fronin e Shqipërisë, erdhi në Shqipëri dhe u shti si mbreti Oto i Parë dhe për pesë ditë u pranua dhe bëri qejf si mbret i Shqipërisë. Por në shekullin 21 Republika të pranojë dhe të ligjërojë simulimet alla vittiane, krijon vërtetë profilin e një populli tribuje.

Duket frustracioni gjenetik i rajait i shtyn udhëheqësit politikë të tranzicionit shqiptar të kapen pas operetave, duke u bërë edhe vetë personazhe operetash në sytë e gjithë botës.

Këta lloj udhëheqësish hermafroditë e kanë bërë Shqipërinë të jetë e vetmja republikë në botë që nuk ka një datë themelimi, ndonëse Shqipëria ka qenë republikë para vitit 1928 dhe pas vitit 1946. Nuk mund të mos i quash karikatura këta lloj udhëheqësish të Republikës, që kanë frikë të përmendin, pale më të festojnë, një Ditë të Republikës.

Dy partitë kryesore politike me qeveritë e tyre i kanë dëshmuar botës që as dinë dhe as duan të bëjnë shtet. Ndaj kanë shpikur modelin e shtetit karikaturë republikano-monarkist për Shqipërinë e sotme.

/Gazeta Dita

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit