-sidi education-spot_img
10.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Energjia elektrike do të dyfishohet

Kryesoret

7420 biznese do të duhet të dilnin në treg të lirë nga 1 janari 2022, quhen tashmë pjesërisht të liberalizuara. Ata po e blejnë sot energjinë rreth dy herë më shtrenjtë se më parë, por sigurisht sa gjysma e kostos së tregut të lirë, në kushtet kur qeveria vendosi t’i mbronte me një çmim preferencial, i cili do të zgjasë deri në qershor. Asnjë prej tyre nuk mund të thotë sa e ka sot koston, pasi çmimi pritet të ndryshojë çdo muaj mes 18-20 lekë/kwh. Bizneset nënvizojnë se do të kenë rritje të kostos së prodhimit dhe këtë, duke mos pasur asnjë zgjidhje do ta transmetojnë te produktet dhe konsumatori. Planet e investimit, përmirësimit teknologjik, apo zgjerimit, kanë ndryshuar dhe mision është mbijetesa. Kompania publike e transmetimit dhe ajo e shpërndarjes kanë aplikuar ndërkohë për rishikim tarifash dhe Enti Rregullator i Energjisë pritet të vendosë mbi tarifat e reja brenda dy javësh. Në gjithë këtë panoramë, është e sigurt vetëm paparashikueshmëria e terrenit në të cilin po ecën biznesi

Qeveria deklaroi vitin e kaluar se të paktën 7420 biznese të lidhur në tension 20,10,6 kilovolt do të duhet të dilnin në treg të lirë nga 1 janari i këtij viti dhe të siguronin të vetëm energjinë. Por amullia e krijuar në tregje, për shkak të çmimeve të larta, bëri që sipërmarrësit të ishin në unison, duke kundërshtuar këtë lëvizje jo specifikisht të lidhur me reformën e sektorit, më shumë sesa me momentin në të cilin po zinte vend ky hap. Shumica e tyre deklaruan se me çmimet që mund të varionin nga 35-50 lekë/kwh  (deri në katër herë më të larta) do të detyroheshin të mbyllnin bizneset, pasi kostot do të ishin të jashtëzakonshme, ose këtë çmim ta transferonin te produktet finale që paguhen nga konsumatorët. Në shumë raste, industritë që preken janë prodhues e agropërpunues, e për rrjedhojë do të kishin të sigurt falimentimin, pasi me kostot në rritje, çmimi i produktit final do të ishte jokonkurrues në raport me importet. Homologët e tyre europianë, apo rajonalë, edhe pse të prekur nga energjia si të gjithë, mund të amortizojnë më mirë kostot edhe si efekt i ekonomisë së shkallës. Në këto kushte, qeveria vendosi që të mbajë në rrjet bizneset në tension të mesëm, deri në qershor të këtij viti dhe pas këtij afati, të rivlerësojë kushtet dhe të marrë një vendim. Vendosja e vendit në gjendjen e emergjencës së furnizimit me energji ndërkohë ka ndryshuar mënyrën sesi kompanitë publike të sektorit funksiononin, sa i takon sigurimit të energjisë. Teksa në normalitet, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka si pjesë të aktivitetit vetëm prodhimin, me vendimin numër 620 të Këshillit të Ministrave, kompania ka detyrimin që të sigurojë energjinë për klientët fundorë.

Emergjenca, si ka ndryshuar skema e furnizimit me energji të konsumatorëve

“Shoqëria e prodhimit, e ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik, furnizon Furnizuesin e Shërbimit Universal (FSHU) me të gjithë sasinë e nevojshme, për qëllime të plotësimit të kërkesës së plotë të Furnizuesit të Shërbimit Universal, sipas çmimit për njësi të energjisë elektrike, të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Shoqërisë” – thuhet në vendimin 620 të Këshillit të Ministrave.

Kjo do të thotë që aktualisht është KESH, kompania e cila jo vetëm prodhon por edhe siguron nga tregu energjinë për dy fasha: klientët e rregulluar fundorë të lidhur në 0.4 kilovolt dhe klientët e rregulluar fundorë të lidhur në 6, 10, 20 kilovolt.

Sipas kontratës, KESH çdo muaj dërgon pranë Furnizuesit të Shërbimit Universal (pjesë e OSHEE) faturën me koston e energjisë që duhet të paguhet nga kjo e fundit. Ndërkohë që OSHEE programon dhe jep me detaje mujore, javore e ditore kërkesën e saj për energji. Në kushte normale, KESH do të prodhonte dhe OSHEE do të blinte sasinë e disponueshme nga KESH dhe diferencat e nevojshme për plotësimin e konsumit nga tregu. KESH-it i është dhënë autorizim për të marrë me qira asete gjeneruese termike (termocentral) për një periudhë 3-vjeçare për të përballuar nevojat që mund të ketë tregu për energji, por edhe për të diversifikuar disi prodhimin, i cili është thuajse tërësisht i varur nga “hidro”.

Liberalizimi “i pjesshëm”, 7420 biznese janë aktualisht në treg të lirë

Bizneset në tension të mesëm nga 6-20 kilovolt mund të cilësohen si pjesërisht të liberalizuar. Këto biznese kanë dalë në tregun e lirë dhe janë tashmë te Furnizuesi i Mundësisë së Fundit.

Ky furnizues u shërben të gjithë atyre bizneseve që blejnë me çmime tregu dhe nuk kanë arritur të gjejnë një furnizues privat. Në kushtet e krizës energjetike dhe çmimeve të larta, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ra dakord që këto biznese të furnizohen me çmime disi më të ulëta sesa çmimet e tregut, por më të larta sesa ato që kishin në tregun e rregulluar.

KESH furnizon me 2.6 lekë/kwh Furnizuesin e Shërbimit Universal(FSHU) për klientët në tregun e rregulluar në tension të ulët dhe 12 lekë/kwh për tepricën që i mbetet ia kalon sipas një drafti kontratë Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (pjesë e FSHU) i cili këtë energji e transmeton te klientët në tension të mesëm.

Edhe pse çmimi me të cilin energjia mund të sigurohet nga KESH është 12 lekë/kwh për këtë kategori, asaj i shtohen, sipas një metodologjie të miratuar më herët nga Enti Rregullator i Energjisë edhe disa kosto të tjera, si tarifa e shpërndarjes prej 0.75 lekë/kwh që i paguhet Operatorit të Sistemit të Transmetimit, tarifa e shpërndarjes që i paguhet Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, kosto operative, si dhe një mazh minimal fitimi.

Duke respektuar formulën e metodologjisë, përllogaritet që kostoja me të cilin biznesi në tension të mesëm blen energjinë, të jetë 18-20 lekë/kwh kurse për tensionin e ulët, çmimi do të mbetet në 9.5 lekë dhe 14 lekë, sipas kategorisë ku bën pjesë klienti.

Në kushtet aktuale, liberalizimi quhet i pjesshëm, pasi kemi liberalizim të çmimeve, por jo të furnizuesve (kemi ndryshim të kodit nga Furnizuesi i Shërbimit Universal te Furnizuesi i Mundësisë së Fundit që është njësi e dedikuar për pjesën e atyre në treg të lirë).

Bizneset në tension 6,10,20 kv po furnizohen nga kompania publike me çmime tregu, për shkak se nuk kanë gjetur një furnizues privat. Gjithsesi, në çdo moment që ato arrijnë të lidhin kontratë me operatorë të tjerë tregu që iu siguron energji, mund të bëjnë shkëputjen pa probleme, nëse çmimi që kanë gjetur është më i leverdishëm. Faturimet, edhe në këtë rast, do të bëhen nga OSSH duke ua kaluar këtë më pas furnizuesve përkatës.

Sa u takon bizneseve të lidhur në 35 kilovolt që janë ende tek Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, çmimi me të cilin u sigurohet energjia është ai që ka tregu, i cili muaj pas muaji ka qenë me ndryshime të mëdha duke shënuar rekord në nëntor 2021 me mbi 38 lekë/kwh.

Çmimet nga janari 2021

Duke respektuar formulën e metodologjisë, përllogaritet që kostoja me të cilin biznesi në tension të mesëm blen energjinë, të jetë 18-20 lekë/kwh kurse për tensionin e ulët, çmimi do të mbetet në 9.5 lekë dhe 14 lekë, sipas kategorisë ku bën pjesë klienti.

Biznesi: Nuk kemi çmim final, do të ndryshojë çdo muaj, ndikon te kostot

Bizneset në tension të mesëm shprehen se sot po furnizohen nga kompania që është nën varësinë e OSHEE-së. Sipas tyre, edhe pse liberalizimi do të duhej të vijonte sipas ligjit, momenti në të cilin ato u detyruan të dalin në këtë treg ishte më i papërshtatshmi. Dhënia e kohës nga qeveria për të marrë energji me një çmim më preferencial se tregu, edhe pse më të lartë sesa e kishin, cilësohet pozitive. Por fakti që ky trajtim është lënë në fuqi deri në qershor i bën ata të pasigurt për vijimin.

Adi Haxhiymeri, nga industria e blojës, shprehet se do të ishte e udhës së bizneseve t’ju jepej të paktën një vit kohë për të siguruar të vetëm energjinë. Situata me çmimet e energjisë në bursa vazhdon të mbetet problematike. Sipas Haxhiymerit, edhe furnizuesit privatë, në shumë raste, nuk janë të gatshëm të lidhin kontrata me kompanitë private. Arsyeja është se ata nuk mbajnë dot përgjegjësi për problemet që mund të ndodhin nëse ka ndërprerje të furnizimit e për rrjedhojë, edhe të proceseve të punës.

“Sot ne jemi në treg të lirë e po furnizohemi nga OSHEE. Po punojmë me fabrikat tona e po prodhojmë, por nuk dimë sesa do të jetë realisht çmimi i janarit. Na është thënë paraprakisht që do të jetë diku tek 17-18 lekë/kwh, si një premtim tavoline dhe ndoshta deri në këtë nivel edhe mund ta përballojmë. Nëse është më shumë se kaq, për ne është vrastare.

Momenti tani me çmimet e energjisë në treg është i papërshtatshëm. Ne na thuhet që ta marrim nga furnizuesit privatë, por as ata nuk na marrin përsipër, kur shohin kontratën që duhet të na paguajnë penalitete nëse na ndalon procesi i punës nga mungesa e furnizimit, sepse për ne kjo na dëmton. Ndoshta duhet të ishte pritur edhe pak për këtë hap të liberalizimit sa të ishte krijuar edhe bursa e energjisë. Kjo do të ishte një mundësi e mirë për të gjithë ne” – shprehet Haxhiymeri.

Paralajmërimi i bizneseve

Sot ne jemi në treg të lirë e po furnizohemi nga OSHEE. Po punojmë me fabrikat tona e po prodhojmë, por nuk dimë sesa do të jetë realisht çmimi i janarit. Na është thënë paraprakisht që do të jetë diku tek 17-18 lekë/kwh, si një premtim tavoline dhe ndoshta deri në këtë nivel edhe mund ta përballojmë. Nëse është më shumë se kaq, për ne është vrastare. Momenti tani me çmimet e energjisë në treg është i papërshtatshëm

Sipas tij, duhet të kishte një diskutim me bazë më të gjerë mes shtetit dhe bizneseve për të parë mundësitë. Liberalizimi nuk është një proces i thjeshtë dhe sjell ndërlikime për secilin nga bizneset. Ata duhet të njihen me procedura të reja dhe me një treg që ndryshon çdo ditë në dinamikën e çmimit, ndërkohë që kriza e ka bërë edhe më të vështirë këtë.

Haxhiymeri shprehet se situata do të ishte më ndryshe sikur problematika e vetme që hasin bizneset të ishte energjia. Por në fakt, ekonomia globale post-pandemike ka dhënë goditje të njëpasnjëshme te lëndët e para, çmimet e transportit e thuajse gjithë hallkat e rëndësishme.

“Çmimet në nivel global janë skandal, flas të paktën për industrinë tonë. Ambalazhet janë rritur shumë dhe po vazhdojnë të rriten. Transporti është në rritje. Lëndët e para vijojnë rritjen të gjitha – qeset, kartoni, gazi. Ne sot prodhojmë dhe nuk e dimë me çfarë kosto do të dalim. Çmimi i energjisë do ndryshojë çdo muaj nga blerjet që do të bëjë OSHEE.

Problematika jonë më e madhe sot është parashikueshmëria, sepse në fakt rritja në çdo gjë nuk po ndalet dhe nuk e dimë ku po shkojmë. Vetëm qesja dhe kartoni na janë rritur sot me 70 për qind. Edhe lëndët ndihmëse janë rritur. Në rajon sot çmimi i miellit është rritur.

Shqipëria e ka më të lirë. Nuk e kemi bërë sepse kryqëzohemi sa herë e bëjmë, shihemi si dele e zezë edhe kur s’kemi nga ia mbajmë dhe duhet ta rrisim. Por nuk mendoj se do qëndrojmë dhe shumë, sepse nuk kemi çfarë të bëjmë. Edhe përballë kësaj punës së energjisë u dorëzuam e nuk e kundërshtojmë, sepse jemi para alternativës e do apo s’e do. Ose do të rrimë në treg ose do të mbyllemi” pohon Haxhiymeri.

Bizneset pohojnë se në kushtet aktuale është e vështirë të planifikojnë shpenzimet. Një pjesë e mirë janë rezervuar në investime apo nisma në përmirësim teknologjie, pasi situata është e pafavorshme. Misioni, sipas tyre të paktën për 2022-shin është mbijetesa në treg, përpos goditjeve që po merren.

Prodhuesit, në pritje të tarifave të ERE-s, Enti: Miratohen brenda dy javësh

Bizneset në tregun e lirë janë në pritje të një vendimi të tarifës finale që do të kenë për energjinë gjatë vitit 2022 për të pasur më të qartë kostot që duhet të marrin parasysh. Sigurisht ato mund të bëjnë përllogaritjet sot me tarifat aktuale në fuqi, por paralelisht do t’ju duhet të marrin parasysh që ndoshta gjatë vitit do të kenë tarifa të reja.

Kjo sepse Enti Rregullator i Energjisë ka ende në shqyrtim aplikimet e dy kompanive, Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që kanë kërkuar rishikim. I pyetur nga “Monitor” mbi rishikimin e tarifave, kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Petrit Ahmeti, u shpreh se mund të ketë një vendim brenda dy javësh.

“Enti ka zhvilluar seancë publike dëgjimore me palët e interesit mbi kërkesat e kompanive të energjisë për tarifat. Kemi kërkuar vazhdimisht dokumente dhe argumentime nga kompanitë për të justifikuar aplikimet që kanë bërë. Ky është një proces që do kohën e vet për të qenë transparentë dhe të drejtë mbi vendimin që do marrim, ndaj edhe zgjat disi.

Gjithsesi mendoj se brenda dy javësh do të marrim vendim. Jemi në pritje të disa informacioneve nga OST dhe OSSH. Janë teknikalitete që lidhen me marrëdhënien e kompanive mes tyre, por ne duam ta kemi si informacion, pasi e gjithë kjo lidhet me mënyrën sesi do të sillen me konsumatorët në treg të lirë këto kompani. Kjo është diçka shumë e rëndësishme, pasi sipas vendimit nga 1 janari duhet të dilnin në treg një numër i madh biznesesh, të cilët janë të ndjeshëm nga tarifa e shpërndarjes dhe transmetimit” – tha Ahmeti.

Lidhur me këtë proces, edhe Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, pohoi se bizneset janë në pritje të vendimit që do të merret nga Enti për të parë më qartë situatën. Ai vlerëson se, nisur edhe nga aplikimet, do të ketë pak ose aspak ndryshim e për rrjedhojë, ndikimi nuk pritet të jetë i madh. Sot ndikimin kryesor duket se e ka çmimi i blerjes së energjisë, që sipas tij, biznesi ia doli ta marrë me një tarifë disi më të ulët falë lobimit dhe të qenët bashkë.

“Ne presim që çmimi i energjisë për bizneset që do të duhet të dilnin në treg të lirë dhe sot po furnizohen nga OSHEE të jetë mes 18-19 lekë/kwh. Momenti nuk ishte i përshtatshëm dhe këtë herë biznesi u bë bashkë, loboi dhe dha arsyet se pse nuk mund të dilte, ndaj edhe u dëgjua.

Biznesi duhet të ndërgjegjësohet dhe të afrohet pranë shoqatave, të bëhet bashkë që të jetë një zë i fortë. Shumica e bizneseve u gjendën të papërgatitur nga kjo edhe prej situatës, por edhe sepse nuk kanë informacion. Falë argumentimit të përbashkët, arritëm ta shtynim daljen deri në qershor dhe nëse situata do të ndryshojë, sigurisht që do të jemi plotësisht në treg” – tha Shkodra.

Por jo të gjithë bizneset kanë informacion sa i takon liberalizimit. Një pjesë e tyre kanë sot në dorë vetëm një shkresë, ku njoftohen se duhet të gjejnë furnizues privat, por për ta furnizimi po vazhdon normalisht, duke mos pasur informacion se si po vijon furnizimi aktual.

Rei Mita, nga kompania “Sejega” tha se biznesi është i lidhur në tension 10 kilovolt dhe në fillim të janarit kanë marrë një shkresë për detyrimin e daljes në tregun e lirë për të siguruar energjinë.

“Nuk kemi shumë informacion për atë që duhet të bëjmë apo si do të funksionojë. Kemi marrë një shkresë para disa javësh, por nuk dimë ende të saktë ç’po ndodh. Për momentin po furnizohemi nga kompania publike, njëlloj siç kemi qenë edhe para njoftimit, pra asgjë s’ka ndryshuar për ne. Jemi në pritje sesi do të vijojë situata dhe çfarë do të na thuhet mbi këtë çështje, për të mësuar edhe në më shumë mbi masat që duhet të marrim” – pohoi ai.

Lobimi

“Ne presim që çmimi i energjisë për bizneset që do të duhet të dilnin në treg të lirë dhe sot po furnizohen nga OSHEE të jetë mes 18-19 lekë/kwh. Momenti nuk ishte i përshtatshëm dhe këtë herë biznesi u bë bashkë, loboi dhe dha arsyet se pse nuk mund të dilte, ndaj edhe u dëgjua. Biznesi duhet të ndërgjegjësohet dhe të afrohet pranë shoqatave, të bëhet bashkë që të jetë një zë i fortë. Shumica e bizneseve u gjendën të papërgatitur nga kjo edhe prej situatës, por edhe sepse nuk kanë informacion. Falë argumentimit të përbashkët, arritëm ta shtynim daljen deri në qershor dhe nëse situata do të ndryshojë, sigurisht që do të jemi plotësisht në treg” – tha Shkodra.

Aplikimet e OSSH dhe OST, çfarë kërkojnë saktësisht operatorët

Enti Rregullator i Energjisë, prej më shumë se dy muajsh, ka në shqyrtim aplikimet e kompanive të energjisë për tarifa të reja për të cilat pritet të merret vendim brenda dy javësh. Por çfarë kanë kërkuar konkretisht kompanitë.

Sa i takon OSSH, tarifa e shpërndarjes për bizneset e lidhur në tension 35 kilovolt që është 1.5 lekë është kërkuar të rritet me të paktën 74%, duke e çuar atë në 2.61 lekë për çdo kilovat/orë energji të transmetuar.

Sa i takon biznesit të lidhur në 20 kilovolt, tarifa aktuale e shpërndarjes e aplikuar nga OSSH është 3.9 lekë për Kwh, ndërkohë në aplikimin e ri kërkohet që të bëhet 3.99 lekë, me një rritje prej 2.3% në raport me tarifën ekzistuese.

Numri i bizneseve që përdorin shërbimin e shpërndarjes në këtë nivel tensioni në mënyrë të pavarur është ende i ulët, por numri i tyre pritet të rritet me të paktën 7 mijë, për shkak të vazhdimit të procesit të liberalizimit, një hap që është deklaruar tashmë dhe nga qeveria. Nga janari 2022, këto biznese do të përballen njëkohësisht me çmimet e energjisë në tregun e lirë, që janë në nivele rekord, si dhe me tarifën e shpërndarjes që do ta paguajnë më vete pranë OSSH-së.

Tarifa e shpërndarjes për ata që janë të lidhur në tension 0.4 është kërkuar që të shkojë në 6.63 lekë, duke shënuar rritje nëse miratohet nga ERE.

Tarifa mesatare e shpërndarjes që aktualisht është 4.79 lekë për çdo kilovat të transmetuar llogaritet të shkojë në 6.42 lekë me një rritje 34% në raport me ekzistuesen. Enti ka nën shqyrtim edhe aplikimin për rritje çmimi edhe nga OST.

Operatori i Sistemit të Transmetimit, që aktualisht ka një tarifë prej 0.75 lekë për çdo kilovat të transmetuar, ashtu sikurse ka ndodhur këto vitet e fundit, ka kërkuar rishikim të tarifës. Ky i fundit ka përllogaritur se, të ardhurat e munguara për vitet 2021-2022, “janë në masën 3,457 milionë lekë, ose 0.24 lekë/kwh, e cila duhet të merret në konsideratë nga ERE për t’u përfshirë në rishikimin tarifave. Tarifa mesatare 3-vjeçare e transmetimit përllogaritet të jetë 1.47 lekë/kwh”.

OST ka propozuar që të bëhet rishikim i metodologjisë sa i takon mënyrës sesi bëhet përllogaritja e tarifave.

“Ne vlerësimet e metodologjisë së propozuar, të ardhurat e kërkuara do të mund të ndaheshin sipas përdoruesve të rrjetit. Kështu, të ardhurat e kërkuara prej 34.4 miliardë lekë për vitet 2022-2024, do të mund të ndaheshin në 30.1 miliardë lekë për furnizuesit dhe 4.3 miliardë lekë për prodhuesit dhe/ose tregtarët, të cilët përdorin rrjetin e transmetimit për transaksione të energjisë elektrike jashtë kufijve të vendit.

Sipas metodologjisë së propozuar, tarifa e transmetimit do të kishte 3 komponentë, të cilët u takojnë shërbimeve të transmetimit (Transmetim; Operim dhe Treg). Për përdoruesit e rrjetit të transmetimit, në funksion të tregut të brendshëm të energjisë, do të mund të aplikoheshin 3 komponentët e tarifës. Për përdoruesit e rrjetit të transmetimit në funksion të tregut të jashtëm të energjisë, do të mund të aplikohej vetëm tarifa e përdorimit të rrjetit të transmetimit.

Sipas përllogaritjeve, tarifa mesatare e Furnizuesve do të mund të ishte 1.29 lekë/kwh (0.87 lekë/kwh – Transmetimi; 0.42 lekë/kwh – Operimi; 0.005 lekë/kwh – Tregu), ndërsa për Prodhuesit dhe tregtaret që japin energji jashtë vendit tarifa do të mund të ishte 0.87 lekë/kwh”, thuhet në aplikim./ Monitor

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit