Ish-kampionia olimpike Majlinda Kelmendi ka nisur karrierën e saj si trajnere e lartë.
Pas Lojërave Olimpike “Tokio 2020”, Majlinda Kelmendi vendosi t’i japë fund karrierës si xhudiste dhe menjëherë nisi punën e trajneres, në ekipin teknik të Driton Kukës.
Në fund të vitit të kaluar udhëhoqi të rejat e Ipponit në një garë për fëmijët në Slloveni. Ndërkohë të shtunën ishte në këndin e Flaka Loxhës, që u paraqit në Grand Slamin e Parisit. Flaka nisi mirë në kategorinë deri 57 kilogramë, por në kohën shtesë humbi para çekes Vera Zemanova.
Majlinda Kelmendi ishte aktive në këndin e trajneres me këshilla të vazhdueshme për Flakën. Por këtë herë nuk mjaftuan. Në Grand Slamin e Parisit, Kosova ka katër xhudistë.