Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë parashikuar një pushtim të mundshëm të Ukrainës nga Rusia brenda disa ditësh duke lënë deri në 50 mijë civilë të vrarë dhe të plagosur.
Këto parashikime i ka hedhur poshtë një diplomat i lartë rus, i cili tha se këto parashikime janë po aq alarmante dhe të pamundura sa një sulm nga Washingtoni në Londër.
Derisa kanë deklaruar se Rusia është afër përfundimit të përgatitjeve për një invasion në shkallë të gjerë në Ukrainë, ushtria amerikanë dhe zyrtarët e inteligjencës kanë deklaruar se 50 mijë njerëz mund të vdesin në rast të një ofensive dhe pesë milionë të tjerë mund të bëhen refugjatë.
Zyrtarët kanë njoftuar se në kufirin e Rusisë me Ukrainën gjenden 83 batalione ruse, secili i përbërë nga rreth 750 ushtarë, të vendosur për një sulm të mundshëm.
Këtë e ka quajtur “çmenduri” zëvendësambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Dmitry Polyanskiy, i cili nëpërmjet një postimi në Twitter tha se do të ishte njësoj sikur SHBA-ja të pushtonte Londrën brenda një jave dhe të shkaktonte 300 mijë vdekje.
“Çmenduria dhe frika po vazhdojnë. Po sikur të thoshim se SHBA mund të pushtonte Londrën brenda një jave dhe të shkaktonte 300 mijë vdekje civilë?”, tha ai, raporton Washington Post.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë informacione se Putini ka marrë një vendim për të pushtuar. Por imazhet satelitore dhe inteligjenca të tjera tregojnë se ai ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa dhe pajisje në kufirin me Ukrainën, potencialisht duke u pozicionuar për atë që mund të bëhet ofensiva më e madhe tokësore ushtarake në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
/5Pyetjet.al