Amerika dhe tetë vende të tjera, mes tyre edhe Shqipëria i kanë bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të dënojë testet e fundit të raketave të Koresë së Veriut.
“Hedhja e një rakete balistike me rreze të mesme veprimi (IRBM) nga Koreja e Veriut më 30 janar është një përshkallëzim i rëndësishëm në shkelje të rezolutave të shumta të Këshillit të Sigurimit dhe synon të destabilizojë më tej rajonin. Ne e dënojmë këtë veprim të paligjshëm me termat më të ashpër.
Lexo këtu deklaratën e plotë
Nëntë raketat balistike të lëshuara në janar janë numri më i madh i lëshimeve që Koreja e Veriut ka kryer në një muaj të vetëm në historinë e programeve të saj të armëve luftarake dhe raketave balistike.
Ne u bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillit që të flasin me një zë për të dënuar këto akte të rrezikshme dhe të paligjshme.
Ne përsërisim thirrjen tonë për Korenë që të ndërpresë veprimet e saj destabilizuese dhe t’i kthehet dialogut. Ne mbetemi të përkushtuar për të kërkuar diplomaci serioze dhe të qëndrueshme.
Koreja duhet të bëjë të njëjtin angazhim për të lehtësuar tensionet rajonale dhe për të garantuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje që t’i përgjigjet pozitivisht ofertave nga Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët për t’u takuar pa parakushte.
Ne jemi të gatshëm të angazhohemi në dialog dhe nuk do të lëkundemi në ndjekjen tonë të paqes dhe stabilitetit rajonal dhe denuklearizimit të plotë të Gadishullit Korean në përputhje me rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit” tha ambasadorja e SHBA në OKB Linda Thomas-Greenfield, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e tetë vendeve të tjera. Koreja e Veriut në 30 janar hodhi raketën e fundit.
/5pyetjet.al