Sot gjykata Kushtetuese e mbylli shqyrtimin për cështjen e Presidentit Ilir Meta. Do ta shkarkojë apo jo? Tashmë pritet vendimi. Debatin në seancën e tretë dhe të fundit ishte i fortë mes përfaqësuesve të Presidentit, shumicës socialiste që e shkarkoi në parlament dhe trupës së gjyqtarëve.
Tre janë skenarët për vendimin; të mos ketë vendim, pasi mund të mos arrihet shumica 5-2, të shkarkohet Meta, ose të rrëzohet kërkesa e Kuvendit. Shtatë anëtarët që kanë në dorë dosjen janë; Vitore Tusha, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Altin Binaj, Përparim Kalo, Sonila Bejtja.
Pretendimet e Presidencës
Kuvendi si organ legjislativ vazhdon ta trajtojë këtë çështje si goditje. Në rastin konkret kuvendi shkeli edhe procedurat që komisionet kishin për detyrë. Ky proces nisi e përfundoj nga një urdhër politik e ne mungesë të lëndës.
Kuvendi edhe më 4 shkurt manipuloi aktet e brendshme. U provua që kërkesa e Kuvendit u pasua nga një shkelje e kryetares.
Kryetarja e Kuvendit që paraqet legjislaturën e 10 s’ka tagër përfaqësimi për legjislaturën e 9. 40 deputetë aktualë kanë qenë në legjislaturën e shkuar kur u shkarkua Meta. Ne e njohim parimin e vazhdimësisë por kur aktet nuk miratohen nga një legjislature, i kthehen nismëtarit
Kuvendi ka shkelur në çdo hap procedurën. Ka krijuar një armë politike. Është aspak kushtetuese.
Provat janë të marra gjatë një procesi të parregullt ligjor. janë të papërdorshme dhe të pavlefshme.
Refuzimi i dëgjimit të Presidenti ka cenuar të drejtat themelore. E drejta për tu dëgjuar nuk mund të zëvendësohet. Nuk mund të shkelet kurrë procedura për llogari të politikës. Pasi kjo e bën dallimin nga partia shtet.
Nuk ka mbështetur asnjë forcë politike por ka qenë kritik ndaj çdo force politike, edhe ndaj qeverisë edhe ndaj opozitës. Të gjithë i mbajmë mend kritikat e ashpra të Presidentit sidomos për djegjen e mandateve si dhe mos pjesëmarrjen në zgjedhjet e 30 qershorit apo edhe ato të 13c tetorit.
Po ashtu përpjekja e Presidentit për të arritur një marrëveshje më 5 qershor ishin të shumta. Angazhimi i Presidentit për mbrojtjen e procesit zgjedhor janë të qarta. Presidenti ka pasur në vijimësi qëndrim moderues, paqtues, pa mbivlerësuar dhe nënvlerësuar asnjë subjekt politik. Dhe ka respektuar parimet demokratike.
Thirrjet e Presidentit për mbrojtjen e votës janë një kontribut i shtuar për zgjedhjet e lira. Keqkuptimi i qëllishëm dhe kushdo që do ta shikonte Presidentin e republikës pasiv përballë situatave sicc ishte ajo e zgjedhjeve të 25 prillit duan që të mos ketë pluralizëm politike e zgjedhje demokratike.
Çdo reagim i fortë i Presidentit është garanci për mbrojtjen e interesave të vendit. Gjithmonë përgjatë kësaj legjislature është sulmuar ndarja dhe balancimi i pushteteve. Pas djegies së mandateve dhe bojkotit të zgjedhjeve vendore nga ana e opozitës situata ishte anormale.
Presidenti ka ndërtuar në mënyrë kushtetuese marrëdhëniet dhe ka qenë shembull. Nuk ka tentuar asnjëherë Kreu i shtetit të marrë kompetenca qeverisëse apo të Kuvendit, e kundërta ka ndodhur. Presidenti është vënë gjithmonë para faktit të kryer. Vetpërmbajtja është relative dhe dinamike, e rëndësishme është që të udhëhiqet nga interesi më i lartë i vendit si dhe nga proporcionaliteti.
Presidenti ka bërë denoncimeve të shumta që lidhen me krime zgjedhore.
Të gjitha pretendimet e Kuvendit për shkarkim janë të denja vetëm për nenin e një Kushtetute tjetër, atë ‘për agjetacion dhe propagandë’.
Gjykata Kushtetuese rumune në një vendim të viti 2007 thotë se Presidenti ka të drejtë të mbajë qëndrime politike.
Kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese të deklarojë të papajtueshëm ngritjen e Komisionit Hetimor. Deklarimin si të papajtueshëm miratimin e raportit të Komisionit Hetimor.
Të mos pranohet shkarkimi dhe të zgjidhet konflikti kushtetues parlament-president. Kjo çështje s’duhet të ekzistonte.
Pretendimet e Kuvendit
Në përfundim të këtij procesi mund të themi se janë provuar shkeljet e rënda Kushtetuese nga presidenti. Është provuar faji. I këkrojmë Gjykatës Kushtetuese të miratojë shkarkimin e Presidentit Meta. Askush s’mund të jetë mbi ligjin.
Është detyrë e Kuvendit mbrojtja e Kushtetutës, të cilën Presidenti e ka shkelur.
Meta ka shkelur nenin 86 pika 1 e kushtetutës për neutralitet, ka denigruar figura politike dhe qeveritare, ka shkelur nenin 89 të Kushtetutës. Është sjellë si opozita e mazhorancës duke vepruar si anëtar partie.
Ka shkelur betimin e bërë mbi Kushtetutë, që është shumë e rëndë. Është betuar se do t’i bindet Kushtetutës por e ka shkelur.
Sjellja e Metës ka qenë aktive përsëritëse, ka dhënë intervista me nismën e tij duke mbajtur qëndrime kundër një force politike, duke u kërkuar zgjedhësve të mos e votojë mazhorancën.
Presidenti ka tejkaluar kompetencat për politiken e jashtme. Ka ndërmarrë sulme kundër diplomatëve të akredituar në Republikës e Shqipërisë. Ka përhapur akuza të rreme, ka thënë se SHBA është e aftë të kryejë krime kundër tij.
Ka ndërhyrë në pavarësinë e gjyqësorit, ka sulmuar prokurorë e gjyqtarë. Kemi parasysh edhe përplasjet te FRD me Bashkinë Tiranë. Ka ndërhyrë edhe në punët e KQZ-së apo të Policisë së Shtetit. Ka ndërhyrë edhe te Gjykata Kushtetuese. Fakti se këto organe s’kanë reaguar, kjo nuk do të thotë që Parlamenti duhet të heshtë.
Presidenti ka pasur gjuhë urrejtjeje dhe përçarëse, si përshembull situatat e vetëgjyqësisë. Presidenti ka dhënë model negativ. Ka inspiruar dhunë.
Një vendim i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese thotë se çdo zyrtar që shkel Kushtetutën nuk mund të vazhdojë me detyrën e tij.
Nuk ka asnjë praktikë në botë që të të ketë sjelljen e Metës dhe të kosniderohet normale. Në Shqipëri kemi rastin edhe të presidentit Topi që iu shfaq vota haptazi dhe partia e quajti tradhtar e nuk reagoi siç ka bërë Meta.
Metës i është dhënë mundësia për tu mbrojtur ai zgjodhi të mos merrte pjesë. Juristët e Presidentit nuk thanë çfarë do ndryshonte në qoftë se do të kishte më shumë kohë seç i dhamë ne.
Rikonfirmimi nga një kuvend ne tjetrin nuk qëndron. Pasi shteti ka vijueshmëri. Po te ishte kështu as meta s’do ishte president. Pasi është zgjedhur nga një tjetër Parlament. Në vitin 2019 e njohu parlamentin si legjitim, por me të njëjtët deputetë 2 vite më vonë ndryshoi qëndrim. Meta e di mjaft mire se kuvendi s’ka asgjë me të, s’ka luftë. Po ushtrojmë kompetencën tonë.
Përpjekja për të justifikuar sjelljen e tij për shkak të kushteve politike është shkelje. Nuk ka asnjë nen në Kushtetutë që justifikon këto sjellje si Kreu i Shtetit dhe Përfaqësuesi i Unitetit të Kombit.
U përmend zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm por nuk u ankuan asnjëherë në Gjykatë për këtë gjë. Presidenti asnjëherë nuk shkoi në Kushtetuese që të mbrojë dekretet e tija.
U përmendën ndryshimet në Kodin Zgjedhor, por Meta asnjëherë nuk shkoi në Gjykatën Kushtetuese. Justifikimi se nuk ishte funksionale Gjykata Kushtetuese nuk qëndron pasi në atë kohë ka bërë kërkesë për teatrin. Ai nuk ka pasur si qëllim mbrojtjen e Kushtetutës.
Askush nuk mund të shpikë demokracinë, por ka detyrimin që të respektojë Kushtetutën. Duhet ndëshkuar kultura e pandëshkueshmërisë
Është dhënë këtu si argument sjellja e Presidentit rumun, ndërkohë që janë jo të duhura pasi në Rumani protestën e organizoi populli, ndërsa këtu te ne vetë Meta.
E vërteta është se kjo sjellje diskrediton figurën e zyrtarit të lartë. Presidenca nuk i është përgjigjur pyetjeve tona. E mbyll duke rikthesuar se ky duhet të jetë proces për vendosje standardi. Që jep goditje kushtetuese ligjore për mosndëshkimi e zyrtarëve publik. Meta të shkarkohet se ka shkelur rëndë kushtetutën. Pasi në të ardhmen mos ketë të tillë precedent.
/5pyetjet.al