Inceneratori i Fierit ishte në fokus të hetimit të komisionit parlamentar në mbledhjen e sotme. Deputetja e PD-së, Dhurata Çupi akuzoi pushtetin qendror dhe kryetarin e bashkisë së Fierit, Armando Subashi për “piruetet” për caktimin e vendit për ndërtimin e inceneratorit dhe abuzimet me shpronësimet. Çupi tha se vendi u ndryshua tre herë dhe në fund, bashkia Fier, që drejtohet nga Subashi nuk zgjodhi një pronë shtetërore, por private duke i kushtuar buxhetit të shtetit miliona lekë.
“Bashkia Fier. Ka një inicim, një shkresë pa numër dhe datë. Shkresa i drejtohet bashkisë Fier mbi mbylljen e vend-depozitimit të mbetjeve. Kështu filloi si gjë e pafajshme. Më pas ka projektvendim të kryetarit të bashkisë që të ngrihet një grup pune për menaxhimin e mbetjeve dhe ky miratohet. Në të njëjtën datë që bëhet edhe projekt vendimi edhe kërkesa në 2017 dhe tre muaj më vonë kemi një vendim të këshillit bashkiak të propozuar mbi shpalljen e emergjencës mjedisore.
Dhe përcakton si vendndodhje fshatin Plyjë. Venddepozitimi llogaritet të jetë në pasuri shtetërore. Deri në 2013 komunat i kanë pasur inventarët dhe ka qenë e lehtë të përcaktohet se kjo është pronë shtetërore. E them këtë se nuk duhet të kostonte për shkak të vlerës.
Pas këtij vendimi ka një vendim të dytë për shpalljen e emergjencës dhe si vendndodhje e mbetjeve nuk është fshati Plykë, por Mbyet në Portëz pa dhënë asnjë arsye përse bëhet ky ndryshim. Kjo nuk ka arsye, por ka një madhore, që koncesionari e ka të qartë se këtu është e studiuar dhe duket se edhe këshilli bashkiak e ka vendosur bazuar në propozimin e koncesionit.
Për fshatin Mbyet ministria dërgon të gjitha koordinatat, fillon edhe shpronësimi, ka edhe pasuri private, involvon bashkinë në kosto. Më vonë në mënyrë krejt të paqartë, kur koncesionari kishte edhe studimin, koncesionari thotë nuk jam dakord në Portëz, edhe pse kishte bërë vetë studiumin e fizibilitetit dhe tani thotë e dua në Mbrostar dhe po me një vendim të tretë të këshillit bashkiak Fier, vendoset që depozitimi të jetë fshati Mbrostar.
Problemi është me pasurinë e paluajtshme me të njëjtën sjellje. ZVRPP i thotë bashkisë se në Mbrostar kemi 10 prona, 3 shtetërore, kanë qenë edhe 3 private dhe nuk u përzgjodh më nga bashkia Fier. Kontrata është lidhur me fshatin e parë Plykë, kontrata vijon të mos ndryshohet edhe pse kaluan nga Portëza te Mbrostari dhe tani vihet në dispozicion Mbrostari dhe asnjë pronë shtetërore dhe u shpronësua një individ, pronar i një prone private.
Edhe pse po të shikosh hartën ka pasuri shtetërore dhe mund të shpëtohej shpronësimi. Vendimi i shpronësimit ngarkon OST-në. Ka një marrëdhënie të papërgjegjshme, pasi aty ishin pasuritë shtetërore. Milionat e shpronësimit kalojnë, por dy vite atje nuk kishte asnjë punim” tha Çupi.
Në këtë pikë e vendosi theksin edhe kryetarja e komisionit hetimor Jorida Tabaku. “Ndryshimi tre herë i pronës. Përdorimi i një prone private kur kishte një pronë shtetërore dhe u shpronësua me çmim dyfish”.
Tabaku tregoi sipas saj edhe dy shkeljet e tjera në këtë kontratë koncesionet.
“Shkelja e dytë është që kompania italiane katër ditë pasi merr koncesionin e shet për 246 euro. Për një kontratë të lidhur në 2017, që duhet të përfundonte në 2018, kur e panë që nuk po zbatohej, pagesat vazhdonin, kontrata nuk ndryshoi dhe në kundërshtim me ligjin, paguan inceneratorin që nuk ekzistonte.
Shkelja e fundit, është zgjedhur alternativa e një kontrate 3 mln euro më të shtrenjtë, dhe kompania e inceneratorit është përfshirë në skandalin e TVSH fiktive, xhironte fatura fiktive TVSH me 15 kompani, për të justifikuar pagesat që bënë dhe këtë e bënte me fondet e buxhetit të shtetit”, tha tha Tabaku.
Për inceneratorët deri tani në qeli është ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ndërsa në kërkim janë dy njerëzit kryesorë Klodian Zoto dhe Stela Gugallja.
/5pyetjet.al