Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot dhe pjesë e rendit të ditës do të jetë edhe votimi i projekt-rezolutës nga debati parlamentar kundër shtrenjtimit të energjisë.
Më 24 janar, në mungesë të kuorumit nuk është votuar draft-rezoluta e propozuar nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja në Kuvend kundër rritjes së çmimeve të faturave të energjisë elektrike.
Në Kosovë është paralajmëruar rritja e çmimit të energjisë, pasi, siç ka thënë Qeveria, vendi po blen energji me çmime të larta dhe nuk mund të plotësojë kërkesën me prodhimin në termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka propozuar rritje të çmimeve të energjisë për konsumatorët familjarë për 9 për qind. Qeveria ka thënë se ka 75 milionë euro që të subvencionojë një pjesë të faturave të energjisë.
Në propozimin e ZRRE-së për shtrenjtimin, konsumatorët janë ndarë në pesë kategori: A, B, C, D, E. Nëse jeni në kategorinë A, pra nëse gjatë një muaji shpenzoni 300 kilovatë orë energji elektrike, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 18.87 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 20.40 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 18.87 euro.