Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri rreth orës 15:00 të ditës së sotme është transportuar nga paraburgimi “313”-të në Tiranë në drejtim të burgut të Fierit.
Prej së premtes deri pasditen e sotme ai qëndroi në paraburgim në Tiranë. Sonte do të ketë natën e parë në burgun e Fierit, ku do të vuajë dënimin 3.4 vite burg për shpërdorim detyre.
Ish-ministri i Brendshëm u vu nën hetim nëntorin e vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën organizatën e vëllezërve Habilaj. Në përgjimet e kryera, emri i Tahirit përmendej disa herë në bisedat mes trafikantëve.
Prokuroria kërkoi me urgjencë arrestimin e tij, por nuk kishte prova të mjaftueshme. Në Mars organi i akuzës zhvilloi seancën përballë Komisionit të Mandateve ku kërkoi heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Saimir Tahirit.
Në Maj të vitit 2018, Tahiri dha dorëheqjen nga mandati i deputetit. Menjëherë më pas prokuroria kërkoi sërish arrestimin e tij. Tahiri kaloi një periudhë të shkurtër në arrest shtëpie, derisa më pas Gjykata e Apelit lejoi hetimin e tij në gjendje të lirë, hetim i cili u mbyll në vitin 2019.
Vendimi u ankimua dhe Gjykata e Apelit në Qershor të vitit 2020, e riktheu për rishqyrtim në Shkallë të Parë. Ankimimi i këtij vendimi në Gjykatën e Lartë, pasoi vitin e kaluar, me prishjen e atij vendimi për shkak të “shkeljeve procedurale” gjatë procesit, dhe rikthimin e çështjes sërish në Apel me një tjetër trupë gjykuese, e cila u shpreh të premten.
/5pyetjet.al