Me mijëra shqiptarë janë duke jetuar e punuar në Gjermani, pjesa më e madhe e të cilëve kanë shkuar në shtetin e BE-së gjatë viteve të fundit, ku shumë prej tyre janë ende të papajisur me leje qëndrimi.
Një lajm i keq është bërë i ditur për këta persona, ku Gjermania është duke bërë gati planin për rikthimin masiv të azilkërkuesve, ku bëjnë pjesë edhe ata shqiptarë. Në marrëveshjen e koalicionit SPD, FDP dhe të Gjelbërve shpjegohet se “Po nisim një ofensivë riatdhesimi në mënyrë që rikthimi në vendin e origjinës të bëhet në mënyrë të qëndrueshme, veçanërisht në deportimin e kriminelëve dhe atyre që janë të rrezikshëm”.
Partitë e tjera gjermane kanë kërkuar që në marrëveshje të specifikohet edhe dakordësia me vendet e origjinës. Ndërkaq, qeveria gjermane do të emërojë një përfaqësues të posaçëm për të hartuar finalizimin e këtyre marrëveshjeve. Sipas Ministrisë Federale të Brendshme, konsultimet në qeverinë federale “janë ende në proces”.
Shqipëria vijon të renditet krahas Sirisë sa i përket numrit të azilkërkuesve, ndërsa tashmë pritet që azilkërkuesit shqiptarë të preken edhe nga plani i ritadhesimit. Sipas raportimeve të Ministrisë Brendshme në vitin 2021 ka pasur gjithsej 11,982 dëbime, ku shumica e rikthimeve të vitit të kaluar ishin nga Gjeorgjia dhe Shqipëria. 1116 persona u detyruan të largohen duke u transportuar me avion drejt Gjeorgjisë dhe 908 të tjerë u dërguan në Shqipëri, transmeton Panorama.al
Në 470 raste, personat që vinin nga Siria dhe qëndronin ilegalisht në Gjermani u deportuan vitin e kaluar, në vende të tjera në të cilat ata kishin qenë më parë.
Por deportimet më të mëdha janë kryer nga shteti federal i Vestfalisë, ku janë deportuar 2900 azilkërkues, shkruan Panorama.al
Kur mori detyrën në vitin 2018, ministri Seehofer bëri të ditur se donte që rikthimet në vendin e origjinës të kryheshin në mënyrë të planifikuar. Në fakt, numri vjetor i dëbimeve madje ra gjatë mandatit të tij – edhe para fillimit të pandemisë, shkruajnë mediat gjermane. Ndërsa tani do të ketë marrëveshje të re për të kryer rikthimin masiv të azilkërkuesve, veçanërisht të personave të rrezikshëm apo kriminelëve.