Nismën për shkarkimin e Aleksa Beçiç, kryetarit të parlamentit malazez e nënshkruan 38 deputetë të kryesuar nga partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviçit.
Beçiç është nga radhët e Demokratëve, të cilët e patën diskutime të shumta në seancë, raporton DW.
Deputetët e shumicës parlamentare që në fillim bënë thirrje për shtyrjen e seancës dhe kërkimin e një zgjidhjeje brenda shumicës, gjithsesi pa përkrahjen e Partisë Demokratike të Socialistëve. Në një kohë që deputetët e Frontit Demokratik pro-serb dhe Demokratët vlerësuan punën e Aleksa Beçiç, deputetët e opozitës u shprehën, se në Parlament ka munguar dialogu thelbësor. Po ashtu ata theksuan, se nuk është përshpejtuar rruga drejt BE-së dhe se Beçiç funksionin e tij e ka kryer në interes të promovimit partiak dhe personal, e jo në interes të shtetit.
Deputetët demokratë akuzuan kolegët nga radhët e URA-s për tradhti dhe bashkëpunim me Partinë Demokratike të Socialistëve.
Ndërkaq vetë Beçiç tha se propozimi për shkarkimin e tij nuk ka bazë dhe është absurd. Ai përmendi arritjet e Parlamentit gjatë punës së tij dhe vlerësimet që ka marrë nga kolegë nga rajoni dhe bota.
Edhe pse në shikim të parë seanca e parlamentit përfundoi qetë, vetë Kryetari i Parlamentit tashmë i shkarkuar, tha se do të përdorte të gjitha format demokratike dhe do të kundërshtonte formimin e shumicës me Partinë Demokratike të Socialistëve.
Protestat e paralajmëruara për sot mund të priten në të gjitha qytetet e Malit të Zi. Mbetet të pritet qëndrimi që do të mbajë Kisha Ortodokse Serbe, e cila në zgjedhjet e fundit parlamentare ishte pranë Frontit Demokratik dhe Demokratëve