Kultivonte bimë narkotike në shtëpi, arrestohet në flagrancë 62-vjeçari me armë zjarri dhe municione luftarake
Policia e shtetit ka njoftuar ditën e sotme se ka arrestuar në flagrancë shtetasin M. S. 62 vjeç, për veprat penale “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Përdorimi i paligjshëm i teknologjisë së lartë” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
Gjirokastër Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “LAST WINTER”. Operacioni nga Komisariati i Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve dhe Seksionin Operacional në DVP Gjirokastër. Sekuestrohen 2 armë zjarri, municion luftarak dhe pajisje të ndryshme që përdoren për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura. Vihet në pranga poseduesi. Në vijim të punës së pandërprerë për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave që mbajnë armë zjarri pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve dhe Seksionin Operacional në DVP Gjirokastër, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë policore se shtetasi M. S. dispononte armë zjarri dhe mjete të teknologjisë së lartë që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “LAST WINTER”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi M. S., 62 vjeç, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër. Gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekustruar 2 armë zjarri pistoleta, 10 krehra, 157 fishekë dhe pajisje që përdoren për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, si: 26 përforcues energjie elektrike, 2 filtra që shërbejnë për pastrimin e ajrit, 7 tuba që shërbejnë për ventilimin e ajrit, llamba dhe projektorë që shërbejnë për transferim nxehtësie, 4 ngrohëse me gaz dhe pajisje të tjera elektrike. Gjithashtu, në banesën e këtij shtetasi u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.Materialet në ngarkim të shtetasit M. S. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Përdorimi i paligjshëm i teknologjisë së lartë” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
/5Pyetjet.al