Fermerët e Devollit kanë protestuar ditën e sotme përpara zyrës së bujqësisë rajonale në Devoll për rritjen e çmimit të naftës, rritjen e çmimit të plehrave kimike dhe të shtimit në tërësi të kostove të tyre.
“Duke braktisur fermerët keni braktisur Shqipërinë, mos e lini bujqësinë të mjerë”, kjo ka qenë pankarta e protestuesve.
Protesta zgjati përreth një ore dhe fermerët vendosën të qëndronin në anë të rrugës, ku rreshtuan edhe traktorët, karrocat dhe mjetet e tyre të punës.
“Drejt rrugës së falimentit po shkojmë. Vjet në 2021 e kemi marrë nitratin me 30 mijë lekët lugën, tani për momentin është 90, ndërsa gruri shitet me 30 lekë. Nuk përballojmë dot kostot e larta, këtu është problemi. Duhen lekë. Kemi shpresë mos i shesim, si përfundim asgjë s’kemi për të shitur.”, u shpreh një nga protestuesit.
“Po protestojmë për çmimin e naftës, të plehrave, mosshitja e produkteve bujqësore. Deri në këto momente që flasim, nuk ke i hedhur fare nitrat, gruri duhet trajtuar. Leku i djemve tanë në emigrim për 30 vjet për të bërë Shqipërinë, sot të gjitha këto po shkatërrohet. Një popull i vdekur që sot ne presim ta na varrosin. Shteti as nuk e di që ka njerëz në Devoll, apo në të gjithë Shqipërinë. Jemi të vdekur l presim të na varrosin, po mbijetojmë me fasule, bukë dhe patate. Po mbijetojmë. Kemi tonelata me mall të pashitura.”, tha një tjetër.
/5pyetjet.al