Nga Bedri Islami
Botuar në DITA
Në debatin e hapur tashmë lidhur me figurën e Xhafer Devës, më shumë se gjithçka tjetër, ajo që më tërhoqi veçanërisht vëmendjen është se përkrahësit më të furishëm të tij, shpesh herë të ekzaltuar ndaj tij, janë të njëjtët që dolën haptas, deri në tërbim kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe, kur nuk mundën ta zhbënin atë, u përpoqën të krijojnë një histori tjetër.
Si shenjë e rehabilitimit politik, jo vetëm të tyre si figura anësore, por edhe të një elite, e cila, në momentet kur gjithçka në Kosovë ishte në dilemën e mbijetesës, haptas ose fshehtas, bashkëpunuan me regjimin dhe ishin zëdhënësit e pashpallur të tij.
Xhafer Deva, ndryshe nga Bedri Pejani, drejtuesi i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, nënshkrues i aktit të Pavarësisë së Shqipërisë, aktivitetin e tij nuk e shtriu në Kosovë, ose fare pak atje, më së shumti ai e zhvilloi në shtetin shqiptar londinez dhe, sado që të bëhen përpjekje për të ringritur figurën e tij, ai është e mbetet një njeri i lidhur me nazizmin, i devotshëm ndaj tij, shpërblyer nga ai, dhe, në fund, i arratisur po me kolonat naziste.
A mund të tregojnë këto “historianë” se cilën betejë bëri Xhafer Deva dhe divizioni i tij SS kundër forcave çetnike serbe? Ku luftuan? Cilët vranë? A e çliruan dot ata Mitrovicën dhe nuk kishin rrjedhime të ardhshme? Cilat janë “meritat” e këtij divizioni në luftën kundër komunistëve serbë, të cilët ishin dy here të rrezikshëm, pasi ishin njëjtë si pushtuesit e dikurshëm, dhe, me mendësi vrastare?
Nuk ka asnjë shënim në histori, vetëm se në qendrën e qytetit të Mitrovicës vendosën një vend ku rriheshin me dajak ata që vidhnin, dhe tabela shkruhej në dy gjuhë.
Xhafer Deva nuk bëri asnjë përpjekje për të ngritur një trupë të strukturuar mbrojtje në Kosovë, për të qenë në vazhdim armata e vërtetë e Kosovës, përkundrazi, u sul në Shqipëri dhe solli rrënimin e mendimit se shqiptarët e Kosovës janë besnikë, të devotshëm, atdhetarë, të njerëzishëm, pasi “trimat” e tij e mbushën kupën me vjedhje e mashtrime.
Nëse duhej luftuar diku komunizmi, ai duhej bërë nga Deva e trimat e tij pikërisht në Kosovë, pasi e keqja kishte ardhur nga aty. Ai, pasi grabiti, nuk zbriti as në jugun e Shqipërisë, ku nacional-çlirimtarja ishte e strukturuar, e mire organizuar dhe kishte përballuar operacionin e dimrit. Nëse do të kishte zbritur, do të kishte përsëritur shembullin e Halil Alisë, që, pasi nuk luftoi dot me partizanët shkoi dhe vrau në zyrën e tij Qazim Koculin, që vetëm komunist nuk ishte.
Qeveria Kurti, me 2 shkurt, përmes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, publikoi se ka nisur fazën e re të “restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë”. Ndoshta do të ishte më “sinjifkative” ta bënte shpalljen me 4 shkurt, dhe të mbyllte një histori që nuk do të mund të mbyllet. Është historia e një kolaboracionisti, që nuk zhbëhet as me restaurimin e dhjetë shtëpive të tilla.
As Jusuf Buxhovi, as Nexhmedin Spahiu, ky i fundit mitrovicas, nuk mund të ribëjnë një figure politike ndryshe nga sa ai ishte në jetë. Masakra e 4 shkurtit në Tiranë nuk ishte e vetmja e çetnikëve shqiptarë të Devës, megjithëse më e bujshmja.
Ish komandanti i xhandarmërisë për Tiranën, Xhelal Staravecka e ka dëshmuar në librin e tij shkallën e lartë të mizorive, grabitjeve, dhunimeve dhe plaçkitjeve që bënin në Tiranë e qarqe të tjera bandat e Devës, të cilët nuk luftuan asnjë here ballë për ballë me nacional-çlirimtarët. Nuk ka asnjë betejë të tyre, veç arrestimeve nëpër rrugë, ku pak nga të arrestuarit bënin pjesë në lëvizjen çlirimtare dhe, kaq tepër e mbushën kupën, sa që Xhelal Staravecka urdhëroi largimin, më saktë, dëbimin e tyre nga Tirana.
Mbrojtja e jahudijve në Shqipëri nuk është vepër e një a dy njerëzve në qeverinë Mitrovica, por me të gjithë strukturat që vepronin në Shqipëri; ata gjetën më shumë strehë në zonat ku ndikimi dhe pushteti i nacional çlirimtares ishte më i fuqishëm dhe më dominues, dhe fare pak në zona të tjera.
Nexhmedin Spahiu e lidhi vrasjen e Vasil Santos me hakmarrjen vetjake për vrasjen e kolonel Boletinit, pikërisht në Shkodër. Asnjë lidhje nuk ka mes tyre. Së pari, sipas deklaratës publike të kohës, Qarkori i Shkodrës, drejtuar nga Arif Gjyli-Bardhi-ka kërkuar ndjesën e tij për vrasjen e kolonel Boletinit. Ky është një fakt i ditur.
Prita ka qenë e organizuar për major Ndrec Prengën, komandant i Xhandarmërisë së Qarkut dhe vrasja e kolonel Boletinit ishte aksidentale, megjithëse ishte paralajmëruar që të mos shoqërohej me major Ndrecën.
Pikërisht pas kësaj vrasje doli edhe një këngë, “Vrasja e major Ndrecës, liria e biçikletës”, pasi ai kishte ndaluar lëvizjen me biçikletë në rrugët e qytetit.
Për vrasjen e Vasil Shantos ka dëshmi të veçantë, pikërisht nga sekretari politik i Qarkorit, Arif Gjyli. Këtë dëshmi do e sjellim në numrin e radhës, së bashku me faksimilet përkatëse, por, paraprakisht duhet të sjellim të vërtetën se Vasil Shanto, asaj dite të 1 shkurtit 1944, nuk është vrarë i vetëm, por së bashku me Reshit Rusin, Hero i Popullit dhe dibranin Rifat Manjani.
Vrasja e tyre nuk ka asnjë lidhje me Boletinët, që asaj dite as nuk kanë qenë në ngjarje, veçse nëse kanë patur lidhje me çetnik[ët malazez, çka nuk e besoj kurrsesi.
Më shumë se debate lidhur me figurën e Devës, e rëndësishme është pse mbahet ky qëndrim, in extremis, për të lartësuar figurën e një ministri të brendshëm nën regjimin themelues i një divizioni SS?
Ka disa njerëz, shpesh herë edhe publikë, pra të njohur, të cilët, edhe kur koha e tyre ka shkuar dhe mëkati që u rëndon është më i ashpër se sa supet e tyre, përsëri nuk zënë mend, turfullojnë dhe presin një moment të caktuar për t’u rikthyer edhe një herë në grazhdin e vjetër.
Të tillët, thellësisht mjerueshëm, ende nuk kanë mësuar se, në këtë kohë të vështirë për t’u përballuar dhe kur Kosova është në mijëra halle të tjera, shtimi edhe i një derivati politik nuk është më një gabim i përkohshëm, por një faj i qëllimshëm. Jetojmë një kohë kur thesi i mashtrimit është hapur në Beograd dhe fillon e derdhet edhe në botën mediale të Kosovës, kësaj here përmes gjithfarë llumi.
Kjo është më kujtuar fillimisht kur dëgjova për një intervistë të Jusuf Buxhovit. Jusuf Buxhovi nuk është një njeri i panjohur në Kosovë. Nuk është i panjohur pasi fillesën e emrit e bëri tek Rilindja, ku mbi 90 për qind ishin komunistë, dhe ai ishte njëri prej tyre.
Nuk është i panjohur pasi për katër vite ai ishte i dërguar special i Rilindjes në Gjermaninë Perëndimore, dhe kjo nuk ishte pak, nuk është i panjohur pasi, në cilësinë e njeriut “të reformuar” do të bëhet pjesë e themelimit të LDK-së, dhe jo rastësisht të gjithë ata që ishin nismëtarë të saj do të ishin anëtar të Lidhjes Komuniste të Kosovës, një aneks i Lidhjes Komuniste të Serbisë.
Nuk është i panjohur pasi, haptas, jo vetëm një i burgosur politik si Hysen Gega, por edhe të tjerë, e kanë akuzuar si një bashkëpunëtor të rëndësishëm të shërbimit sekret serb; dhe një trajtesë e tillë kishte dalë që në ditët e para kur emri i tij u lidh me LDK-në, nuk është i panjohur edhe nga librat që ka shkruar.
Një personazh enigmatik
Por duhet thënë se ai është një personazh enigmatik. Edhe pamja e tij e jashtme tregon se brenda vetes fsheh diçka, një lloj skuthie, e cila, sa më shumë që përhapet, aq më tepër qelb dynjanë. Në të vërtetë nuk më ka interesuar kurrë ai as si themelues i LDK-së, sepse kjo është punë e dikujt tjetër dhe, natyrisht, ai stan, duke përjashtuar disa meritorë që gabimisht u gjendën aty dhe shpejt dolën jashtë saj, nuk do të kishte bulmet tjetër. Kush ka pritur një fillesë tjetër, të ndryshme, nga ajo që na serviri shërbimi i fshehtë serb, ka qenë i gabuar.
Buxhovi nuk më ka interesuar as si prozator. Duke qenë në dijeni të prapshtive që ka bërë, shumë nga të cilat mbi kurrizin e miqve të mi, duke njohur shumë nga ndërhyrjet e tij në dëm të shqiptarëve në mërgim dhe forcimit të tyre si rrënjë e kombit jashtë vatanit; duke sjellë ndër mend përçarjet që kishte ngjallur mes tyre si një filo-jugosllavizëm; të gjitha këto, së bashku dhe veç e veç, më kishin hequr çdo dëshirë për të lexuar librat e tij, ashtu si e di dhe jam i bindur se edhe ai nuk ka lexuar asnjë nga librat e mi.
Vëmendja ime e parë ndaj Buxhovit u kthye përciptas në leximin e librit “Vite të humbura” të Mehmet Krajës. Ishin dy pasazhe që më bënë përshtypje dhe të cilat, edhe një herë, vërtetuan se ato që më kishin thënë për të nuk ishin fjalëzime në erë, por përmbanin disa të vërteta të hidhura dhe të dëmshme.
Duke shkruar për themelimin e LDK-së, njëri nga themeluesit e saj, Mehmet Kraja, kujton se “Buxhovi solli programin dhe statutin. Që në fjalinë e parë e hetova se programi nuk ishte shkruar nga Buxhovi dhe as nga ndonjë “ekip” më i gjerë, por nga një person”pa emër”, që i takon klanit të vjetër politik, autonomist”.
Kohë më vonë Buxhovi do e fshihte këtë të vërtetë, pasi, dashje pa dashje, do pranonte se zanafilla e kësaj strukture nuk ishte askund tjetër, veçse në një seli tjetër, amë, që do të pillte bijën e saj, dhe që, përmes saj do të merrte përsipër rolin e saj të përkohshëm të shuarjes së lëvizjes çlirimtare.
Fakti që këtë statut e program, brezi i vjetër partiak e përcillte përmes Buxhovit ka të bëjë me faktin se ai ishte njeriu i besuar i tyre, për më tepër, njeriu i dërguar aty për të bërë “paqësisht” atë që nuk kishin arritur të bënin përmes dhunës dhe tankeve.
Më tej, në librin e tij, Mehmet Kraja, shkruan Buxhovi do të ishte njeriu që do të na nxirrte më shumë andralla me biografinë e tij, pasi ”për të do të pëshpëritet se gjatë kohës së qëndrimit në Gjermani, kishte bashkëpunuar me organet e pushtetit dhe të sigurimit jugosllav”.
Por edhe pas saj, shumë vetë, mes tyre edhe unë, e harruan fenomenin Buxhovi, pasi, si ai kishte pasur edhe shumë të tjerë, të cilët ishin bërë pjesë e sistemit dhe e dhunës së tij. Biseda ime me Hysen Gegën, disa vite më parë, më ngjalli edhe një herë ndjenjën e vemjes politike, të cilat, herë këtu dhe herë aty, ku gjejnë mundësinë e artë, godasin dhe hedhin pezhishkën e tyre.
Rishfaqja e enigmatikut
Tani, edhe një herë, Buxhovi u shfaq krejt i sinqertë, me veten dhe me të tjerët, ashtu si kishte qenë në kohën e bashkëpunimit të tij me organet e pushtetit serb në Kosovë. Ai dëshmoi se asgjë nuk kishte ndërruar në kokën dhe në mendimin e tij, dhe se, vitet e shkuara, përcaktimet politike dhe sakrificat e jashtëzakonshme nga lëvizja klandestine çlirimtare, asgjë nuk i kishin mësuar dhe asgjë nuk kishte ndryshuar nga vetja.
Të jetë ky një borxh i së djeshmes apo një ngulje, edhe një herë, në vitin 1981 e pak më pas, kur në Kosovë dhe jashtë saj, u ndeshën dy botë, ajo udbashe, e përfaqësuar nga njerëzit si Buxhovi, dhe ajo çlirimtare, e përfaqësuar nga Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka.
Nëse në këtë vend do të kishte dy njerëz krejt të kundërt me njëri tjetrin, dhe përballë njëri tjetrit, këto do të ishin Jusuf Gërvalla dhe Jusuf Buxhovi. I pari në anën e çlirimtarëve, i dyti në anën e pushtuesve. Që të dy gazetarë, por ndërsa i pari do të vendoste që pena e tij të ishte në dobi të çlirimit të vendit, tjetri e kishte nënshkruar marrëveshjen me djallin që pena e tij të ishte në favorin e klasës sunduese në Kosovë.
Gërvalla do të bëhej zëri çlirimtar përmes fjalës, këngës dhe mendimit të tij politik. Buxhovi do të bëhej, dhe mjerisht paska mbetur, njëri nga përfaqësuesit e dhunës dhe poshtërimit të Kosovës, e nënshtrimit të pa skaj të saj dhe, njëkohësisht e mjerimit të saj politik.
Gërvalla do të ishte frymëzuesi dhe njeriu në ballë të demonstratave për Republikën e Kosovës, Buxhovi do të bridhte nëpër klubet shqiptare me flamurin e serbizimit të tyre. Gërvalla do të bëhej pjesë e themelimit të një lëvizje të re politike, gjithëpërfshirëse, që në programin e saj do të ketë edhe luftën e armatosur, Buxhovi do të bëhej njeriu që merrte në pyetje të burgosurit politik dhe tentonte të shkelte mbi gjakun dhe idenë e tyre.
Gërvalla, në fund, pikërisht nga njerëzit të cilëve u shërbente Buxhovi, do të vritej në një natë të ftohtë janari; po asaj kohe kur Buxhovi do të “lavdërohej” se ishte njëri nga të “tyret” e politikës së Beogradit.
Mes këtyre dy njerëzve, njëra figurë kombëtare dhe tjetra hije e pazakontë, qëndron një hendek i jashtëzakonshëm, jo vetëm njerëzor, por edhe i vizioneve, përcaktimeve dhe filozofisë që bartin. Ndaj është e pështirë të dëgjosh të flasësh për Gërvallën dhe Kadri Zekën në njeri që i ka ndjekur, që ka qenë ashpërsisht kundër tyre dhe, që askush nuk e di, se ku ishte kur ndodhi ngjarja e kobshme…
/5pyetjet.al