Prek Tonaj, punonjës i ujësjellës-kanalizimeve në Shkodër, u ekzekutua mbrëmjen e së dielës në një lokal në qendër të fshatit Grudë e Re.
Me anë të një deklarate, policia bëri të ditur se Tonaj u qëllua me breshëri kallashnikovi në lokal nga një person i maskuar. Madje, burimet kanë bërë të ditur se autori dyshohet t’i ketë thënë viktimës para ekzekutimit edhe emrin e personit për të cilin po e vriste.
Prek Tonaj, 47-vjeç, ishte arrestuar 11 vite më parë, së bashku me dy persona të tjerë, pasi sipas policisë në atë kohë, po tentonin të ekzekutonin një person për hakmarrje. 47-vjeçarit i janë vrarë edhe dy vëllezër më parë, një në fillim të viteve ’90 dhe një tjetër në burg.
Pas ngjarjes, policia ngriti pika kontrolli në të gjitha rrugët kryesore në Shkodër, duke punuar për arrestimin e autorëve të kësaj ngjarje që tronditi Shkodrën mbrëmjen e së dielës.