Është arrestuar ditën e sotme 46-vjeçari i shpallur në kërkim pasi kishte përshtatur në laborator droge banesën e tij në fshatin Krutje vitin e kaluar
Njoftimi i plotë i policisë
Vijon puna për kapjen e personave në kërkim.
Kapet dhe vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Lushnjë, në kuadër të operacionit te koduar “Krutja”.
Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në bashkëpunim me DVP Fier, bënë kapjen e shtetasit:
E. R., 46 vjeç, banues në Tiranë.
Gjykata e Shkallës së Parë Lushnjë, me vendimin e datës 11.05.2021, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike” të kryera në bashkëpunim.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Lushnjë, në kuadër të operacionit “Krutja”, i zhvilluar më datë 08.05.2021, gjatë të cilit Policia zbuloi brenda një ndërtese në pronësi të tij, në fshatin Krutje, një ambient të përshtatur si laborator, që shërbente për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet ngrohjes me llamba.
46-vjeçari iu dorëzua Komisariatit të Policisë Lushnjë, për veprime të mëtejshme.
/5Pyetjet.al