Me përfundimin e Lojërave Olimpike në Kinë, mund të shpërthejë lufta në Ukrainë e paralajmëruar nga Rusia, thotë eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi.
Ibishi, e konsideron tejet shqetësuese situatën, duke shtuar se do të jetë një luftë e tmerrshme nënkupton një bombardim duke përfshirë kryeqytetin Kiev.
“Situata është kritike dhe pritet vetëm një moment gjatë javës ose pas përfundimit të Lojërave Olimpike në Kinë. Forcat e armatosura të Rusisë janë të vendosura në tri drejtimet dhe paralajmërimi i zotëri Blinken që do të jetë një luftë e tmerrshme nënkupton një bombardim duke përfshirë kryeqytetin ukrainas. Paralajmërimi është serioz në kuptimin e asaj se kjo ka të bëjë edhe me çështjet e fuqive të mëdha të shteteve të BE-së që kanë paralajmëruar tërheqjen edhe të personelit të përfaqësive diplomatike dhe qytetarëve të vet së fundit edhe ndalimin e fluturimit për Ukrainë. Ukraina ka ngritur nivelin më të lartë të gatishmërisë për mbrojtje. Situata është serioze dhe krejt është në dorën e një banditi politik, Putinit. Kjo mund të jetë serioze edhe për një luftë të përgjakshme dhe të rëndë që nga lufta e dytë botërore”.
Ibishi thotë se në Kosovë duhet të rritet niveli i sigurisë, duke shtuar se lufta atje mund të ndikojë në ekonomi. Ai thotë se shumë vende të rajonin kanë ngritur si shqetësim çështjen e rezervave e sidomos atyre ushqimore.