Zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë akuzuar faqen konservatore të lajmeve financiare “Zero Hedge” për shpërndarje të propagandës së Kremlinit dhe pretendojnë se pesë media që po dezinformojnë kundër Ukrainës, po drejtohen nga spiunët rusë.
Ata thanë se “Zero Hedge”, e cila ka 1.2 milionë ndjekës në Twitter, ka publikuar artikuj të krijuar nga mediet e kontrolluara nga Moska, të cilat më pas u shpërndanë nga media dhe persona që nuk ishin në dijeni të lidhjes së tyre me inteligjencën ruse.
Po ashtu, këta zyrtarë kanë akuzuar Putinin për përgatitjen e operacionit “flamujt e rremë” për të krijuar një pretekst për një pushtim të ri të Ukrainës.
Media “Zero Hedge” ka qenë kritike e ashpër e Bidenit. Edhe pse është e njohur për mbulimin e lajmeve të tregjeve financiare kjo faqe gjithashtu mbulon politikën me një prirje konservatore.
Në muajt e fundit, “Zero Hedge” ka publikuar artikuj të shumtë që akuzojnë SHBA-në për nxitjen e panikut rreth Ukrainës, e cila tani përballet me mundësinë e një pushtimi rus. Disa nga këta artikuj janë shkruar nga persona të afërt me Fondacionin Strategjik i Kulturës. /5pyetjet.al