Deklarata e deputetit të PD-së, Ferdinand Xhaferraj se kryeministri Edi Rama ka bërë ministre disa “çupëlina”, ka hapur debat në Kuvend.
Belinda Balluku tha se një etiketim i tillë nuk është normal, ndërsa i kërkoi grave nga radhët e PD që të reagojnë.
“U bë kohë që thoni ‘çupëlina’. Keni një vajze ekselente që është vajzë shumë e mirë dhe si baba i një vajze nuk e di ku e gjeni guximin të përdhosni gratë. Unë në parlament nuk e ndaj shumë mendimin ‘gratë dhe burrat’ sepse këtu kemi ardhur të gjithë me votë.
I drejtohen zonjave të grupit, a ndiheni mirë kur dëgjoni kolegët të flasin me këtë lloj gjuhe? Ju duket normale kjo? Në radhët tona kolegët nuk ju marrin nëpër gojë. Mblidhini këto burrat dhe thojini që nëse munden të merren me një gjë tjetër dhe jo të merren a janë gra, çupëlina apo të vjetra në moshë”, tha ajo.
Nga ana tjetër Xhaferraj tha se iu drejtua si ‘çupëlina’ referuar eksperiencës së tyre në politikë.
“Unë në kulturën time nuk e kam problem të kërkoj falje kur është për të kërkuar, por ne po flasim për autoritetin qeverisës. Të jesh ministër nënkupton eksperiencë e kontribut dhe gjysma e zonjave ministre e kanë filluar me postin e ministres karrierën. Meqë përmende vajzën time, kam një vajzë që në shkollë është ekselente, por kurrë nuk e mendoj vajzën time në postim e ministres”, u shpreh ai.
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka kërkuar nga Xhaferraj që të kërkojë falje për këtë gjuhë seksiste.
“Kjo nuk meriton fjalë. Duhet të kërkosh ndjesë ndaj deputeteve. Nuk mund t’i etiketosh me gjuhë seksiste. Hiqet fjala dhe kërkoni ndjesë”, tha Nikolla.
Reagim pati dhe nga ish-kryeministri Sali Berisha:
“A mundesh të vendosësh paqe me këto ministre të eksituara. Me këto ministra të eksituara”.
/5pyetjet.al