Revista “Politico” ka publikuar një artikull ku thuhet se diplomati gjerman Wolfgang Ischinger ka shfrytëzuar Konferencën e Sigurisë së Mynihut për të lidhur kontrata për kompaninë e tij “Agora Strategy Group” për lobim.
Sipas kësaj reviste, edhe Qeveria e Kosovës është bërë kliente e kësaj kompanie në shkurt të vitit 2020 kur erdhi në pushtet Albin Kurti.
“Kosova, e prezantuar në takim nga presidenti dhe kryeministri i ri, u bë kliente e Agora Strategy Group, e cila ishte themeluar nga Ischinger në vitin 2015. Vetëm disa javë para konferencës, një qeveri e re mori pushtetin në Kosovë dhe Agora ishte e prirë që ta mbante këtë lidhje gjallë. Si diplomat, Ischinger ka punuar në Ballkan. Por, në takime të tilla ai kishte në mendje diçka më shumë sesa stabiliteti, ka thënë një ish-bashkëpunëtor i tij. “Ai donte të bënte para””, ka shkruar revista.
Diplomati veteran gjerman, që është edhe kryetar i Konferencës vjetore të Sigurisë së Mynihut, ishte nikoqir në takimin e liderëve nga Ballkani ku pati një ngritje tensionesh midis liderëve nga Ballkani dhe diplomatëve të lartë evropianë dhe amerikanë për progresin e ngadalshëm që vendet nga rajoni po bënin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Duhet të na thoni nëse na doni apo jo. Ne s’kemi premtime nga askush në Evropë” , pati thënë presidenti serb Aleksandar Vuçiq me zhgënjim në drejtim të evropianëve, sipas dëshmitarëve.
Pjesëmarrësit e listës A në dhomë përfshinin Andreas Michaelis, zëvendësministrin e jashtëm gjerman dhe Philip T. Reeker, një zyrtar i lartë nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së, që ishte përgjegjës për rajonin. Ischinger dhe ekipi i tij nuk mund të përballonin që takimi i një rangu të tillë të dilte jashtë binarëve.
“Le të jemi pozitivë dhe t’i çojmë gjërat përpara”, i kishte thënë Ischinger Vuçiqit me tone qetësuese, duke shtuar se ishte i lumtur që konferenca e tij kishte arritur të realizonte një “bashkim familjar të Ballkanit Perëndimor”.
Ajo që Ischinger nuk e përmendi atë ditë në shkurt 2020 – dhe ajo që pakkush në sallën e një hoteli të Mynihut e dinte – ishte se ambasadori kishte një interes privat tregtar për suksesin e takimit.
Në një program që gjithashtu përfshinte një drekë kushtuar tensioneve midis Serbisë dhe Kosovës, organizuar gjithashtu nga Ischinger, kanë folur edhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq dhe presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi.
Në atë kohë, Agora po përpiqej të rekrutonte Qeverinë e Kosovës si kliente, sipas një personi që kishte njohuri me këtë çështje, shkruan Politico.
Për Kosovën dhe Gjeorgjinë kjo do të ndihmonte për të arritur objektivat kryesore strategjike – përkatësisht anëtarësimin në NATO dhe liberalizimin e vizave në BE.
Revista shkruan se as Kosova dhe as Gjeorgjia nuk i janë përgjigjur pyetjeve të saj.
Këto aktivitete të Ischinger ka krijuar paqartësi në mes të roleve të tij publike dhe private dhe kanë krijuar një fushë të minuar konfliktesh interesi, thonë kritikët, duke përfshirë disa ish-kolegë.
Ligjërisht, Konferenca e Mynihut është një organizatë jofitimprurëse e pavarur, por varet qeveria gjermane për financim dhe legjitimitet. Për më tepër, ushtria gjermane ofron logjistikën për ngjarjen, e cila transmetohet në mbarë botën nga Deutsche Welle, një kanal lajmesh në pronësi të qeverisë.
Politico ka bërë me dije se as Qeveria e Kosovës e as disa palë të tjera nuk i kanë kthyer përgjigjje lidhur me kontratat me Agora Strategy Group.
Sivjet në konferencën e Mynihut, po marrin pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri, Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla./5pyetjet.al