“Komisioni hetimor ditën e sotme, nisi si një seancë amnistuese për Erion Veliaj dhe përfundoi me shpëtimin e deputetit të PS Bllako nga përgjigjet publike për rolin e tij në aferën e inceneratorëve”.
Kështu shkruan kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi në Facebook teksa komenton zhvillimet e sotme në Komisionin Hetimor për inceneratorët.
Më tej, Kryemadhi publikon edhe tabelat e 16 pagave të babait të deputetit të PS Alqi Bllako, i punësuar në inceneratorin e Tiranës.
“Shikoni tabelën që tregon si babai i deputetit Bllako ka përfituar një pjesë të fitimit nga inceneratorët, si pagë për babain e tij, direkt i punësuar nga inceneratori i Tiranës. Pagë plot 10 milionë lekë në muaj për 16 muaj.
Ky fakt dhe shumë fakte të tjera financiare tronditëse, i kemi vendosur në dispozicion të SPAK për hetimet e tij. Fakte të tjera tronditëse mund të dalin në dritë.
Nesër ndiqni filmin e radhës në Komision, ndërsa prova e vërtetë e integritetit qëndron tek prokurorët e SPAK dhe drejtësia e re. A do të funksionojë ligji kundër pushtetarëve që kërcënojnë qytetarët duke pretenduar se kanë kontrollin e SPAK?
2022 duhet të jetë viti i drejtësisë së vërtetë! Kjo është pritshmëria e çdo shqiptari”, shkruan Kryemadhi.
