Bashkësia Islame e Kosovës ripërsëriti qëndrimin e saj për martesat e së njëjtës gjini, disa orë para se të nisë seanca ku do të shqyrtohet në parim projekti i ri Kodit Civil.
Ky institucion fetar ka shpërndarë në faqen zyrtare një intervistë të Myftiut Naim Tërnava, të dhënë në korrik të vitit të kaluar, ku flitet për këtë temë.
Në këtë intervistë, Tërnava kishte thënë se “nuk lejohen martesat e të njejtës gjini”
“Nuk kam të bëj me ligje, unë kam të bëj me qëndrime në islam. Qëndrimi im është ky dhe nuk ndryshon, pavarësisht çka thotë ligji. Ligji tërë ditën le të flasë, fjala e Zotit është fjalë e Zotit, fjala e Pejgamberit është fjalë e Pejgamberit. Sipas parimeve islame nuk lejohet në asnjë mënyrë, asnjëherë të shtrembërohet natyrshmëria e të qenit njeri. Nuk lejohen asesi “martesat”, po i quajmë “martesa” të një gjinie”, thotë Tërnava në këtë intervistë në ATV.
Përmes Kodit të ri Civil, ka shpresë të hapet rruga që të gjithë qytetarët e Kosovës të kenë të drejtë të martohen me partneret/ët e tyre, pavarësisht gjinisë.