Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, priti ditën e sotme kryetarin e Bashkisë së Selanikut, Konstantinos Zervas.
Ai ka ardhur me rastin e Tiranës Kryeqyteti Europian i Rinisë, për një vizitë pune.
Veliaj i dhuroi në shenjë mirëseardhjeje Çelësin e Tiranës dhe u shpreh se Selaniku e ka gjithmonë derën e hapur në Shqipëri.
“Është një kënaqësi shumë e veçantë që jeni sot në Tiranë dhe mezi pres që Selaniku, si një qytet që ka pasur gjithmonë një derë të hapur dhe një mendje të hapur, të jetë pjesë e këtij bashkëpunimi për vitin e rinisë. Ne ju konsiderojmë njerëz të shtëpisë sonë dhe jemi shumë mirënjohës për këtë vëllazëri që kemi mes qyteteve tona,” u shpreh Veliaj.
Gjithashtu Veliaj tha se të rinjtë do të kenë një mundësi fantastike për t’u lidhur me njëri-tjetrin.
“Ne kemi mësuar nga ju, pasi Selaniku ka qenë Kryeqyteti Europian i Rinisë në vitin 2014. Ne jemi 8 vite më pas dhe po mësojmë nga më të mirët. Shpresoj shumë që kjo të jetë një platformë fantastike, ku të rinjtë tanë, nëse merren me muzikë, nëse merren me art, nëse merren me sport, nëse merren me teknologjinë e informacionit, të kenë një mundesi fantastike per t’u lidhur me njëri-tjetrin”, nënvizoi Veliaj.
Duke iu referuar bashkëpunimit mes dy qyteteve, sidomos në këtë vit ku Tirana është dhe kryeqyteti Europian i Rinisë, Zervas tha se jane perpara shumë projekte të tjera të përbashkëta.
“Jam shumë i lumtur që shumë kompani shqiptare përdorin ekonominë e Greqisë, ashtu si edhe shumë kompani greke janë këtu në Shqipëri, në Tiranë. Pata shansin t’i takoja dhe jam shumë i lumtur për këtë bashkëpunim.
Jam këtu si kryetari i Bashkisë së Selanikut për të punuar me kolegun tim, kryetarin e Bashkisë Tiranë, për të shkëmbyer praktika të mira, për të krijuar benefite për të dyja qytetet dhe na duhet që të punojmë fort për këtë. Kjo dhuratë është diçka shumë me vlerë për mua dhe për qytetarët e mi.
Jam shpresëplotë që, së shpejti do të vini në qytetin e Selanikut, për t’ju dhënë edhe ju çelësin. Gjithsesi, siç e thatë edhe ju, unë mendoj që para na presin shumë gjëra për të bërë,” deklaroi kryebashkiaku i Selanikut.
/5pyetjet.al