Komiteti Parlamentar i Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri zhvilloi takimin e 14-të, në datat 23-24 shkurt 2022, në Tiranë, nën drejtimin e bashkë-kryetarëve, Taulant Balla për delegacionin e Kuvendit të Shqipërisë dhe Manolis Kefalogiannis për delegacionin e Parlamentit Evropian.
Në një konferencë për media, Taulant Balla tha se Komiteti Parlamentar i Stabilizim Asocimit ka drejtuar dhe miratuar dhjetë rekomandime për Këshillin e Stabilizim Asocimit dhe institucioneve të Shqipërisë e atyre të Bashkimit Evropian.
Deklarata e plotë:
Komiteti shkëmbeu pikëpamje me:
– Sh.T.Z. Luigi SORECA, Kreu i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, në emër të Komisionit Evropian dhe Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian, në emër të Komisionit Evropian dhe
– Sh.S.Znj. Olta XHAÇKA, Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme, në emër të Qeverisë së Shqipërisë.
Anëtarët e Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asocimit trajtuan temat e mëposhtme:
• Gjendja aktuale e marrëdhënieve midis BE-së dhe Shqipërisë;
• Progresi në lidhje me sundimin e ligjit, përfshi reformën në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit;
• Të drejtat themelore, përfshi të drejtat e pakicave dhe lirinë e medias;
• Dialogu politik dhe reforma zgjedhore;
• Shëndetësia, përfshi pandeminë e COVID-19;
• Energjia, kalimi tek ekonomia e gjelbër dhe çështjet mjedisore
• Bashkëpunimi rajonal.
Komiteti Parlamentar i Stabilizim Asocimit, në përputhje me Rregullin 3 të Rregullores së tij dhe Nenin 122 të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri, i drejton Rekomandimet e mëposhtme Këshillit të Stabilizim Asocimit dhe institucioneve të Shqipërisë e atyre të Bashkimit Evropian:
1. Thekson rëndësinë e avancimit të një perspektive të besueshme të anëtarësimit në BE, si një faktor kyç për ruajtjen e mbështetjes publike dhe përkushtimin ndaj zbatimit të vazhdueshëm të reformave gjithëpërfshirëse dhe transformuese; risjell në kujtesë mbështetjen që Parlamenti Evropian i ka dhënë rrugëtimit evropian të Shqipërisë, ndërmjet të tjerash në rezolutën e tij të fundit të datës 25 mars 2021, ku shpreh mbështetjen e tij për thirrjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare pa u vonuar më shumë; risjell në kujtesë raportin e Komisionit Evropian, të datës 19 tetor 2021, i cili thekson se Shqipëria ka vazhduar të plotësojë të gjitha kushtet e tjera dhe ka arritur progres të mëtejshëm, të konsiderueshëm dhe të qëndrueshëm në adresimin e prioriteteve të tjera të theksuara nga Këshilli; vëren me shqetësim se Këshilli nuk ka vendosur ende datën për Konferencën e Parë Ndërqeveritare; ndaj i bën thirrje Vendeve Anëtare të BE-së të mbështesin plotësisht raportin e Komisionit dhe të bien dakord për miratimin e kuadrit negociues dhe të caktojnë datën për Konferencën e Parë Ndërqeveritar dhe, në përputhje me Vendimin e Këshillit të datës 25 mars 2020, i miratuar nga Këshilli Evropian, të nisin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë;
2. Thekson se integrimi evropian përfaqëson aspiratat e brezave të tërë qytetarësh shqiptarë për demokraci dhe begati dhe se perspektiva e anëtarësimit evropian në bazë të meritave kontribon për stabilitetin politik, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik të vetë Unionit; ripohon rëndësinë e vlerave evropiane dhe reformave në luftën kundër ndërhyrjes dhe dezinformimit të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, në përpjekje për të destabilizuar rajonin; përshëndet nivelin e lartë të mbështetjes ndaj integrimit në BE nga ana e qytetarëve shqiptarë, si dhe nga partitë politike; përshëndet pjesëmarrjen e vazhdueshme aktive të Shqipërisë në misionet dhe veprimet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe vlerëson rreshtimin e plotë të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme e të Sigurisë së BE-së;
3. Njeh natyrën transformuese të negociatave të anëtarësimit që do të zhvillohen sipas metodologjisë së rishikuar të zgjerimit; thekson nevojën për partneritet të ngushtë dhe efektiv midis BE-së dhe Shqipërisë për reagimin ndaj emergjencës, duke vlerësuar mbështetjen shëndetësore dhe social-ekonomike të BE-së për Shqipërinë;
4. Vlerëson progresin e reformës gjyqësore gjithëpërfshirëse të Shqipërisë, e cila përfaqëson një hap kyç drejt një sistemi drejtësie të lirë e të pavarur dhe një bazë të fortë për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; përshëndet nisjen e ushtrimit të funksioneve të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Strukturës së Posaçme për Antikorrupsionin dhe Krimin e Organizuar (SPAK), dhe rezultatet e prekshme të rivlerësimit me kohë të kufizuar të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (procesi i vetingut); vlerëson të gjithë punën e bërë nga institucionet e vetingut dhe bashkëpunimin me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) dhe Komisionerin Publik; përshëndet zgjatjen e mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe të Komisionerëve Publik (KP), i cili është thelbësor për konsistencën dhe integritetin e procesit, siç e ka konfirmuar opinioni mbi këtë çështje i Komisionit të Venecias; nxit Shqipërinë të mbështesë dhe aty ku është e nevojshme të intensifikojë më tej përpjekjet për të kthyer integritetin e gjyqësorit, për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar; thekson nevojën për të luftuar prodhimin dhe trafikimin e drogërave; thekson rëndësinë e luftës ndaj korrupsionit në të gjitha nivelet dhe nxit institucionet e reja të drejtësisë të luftojnë korrupsionin kudo që të shfaqet, pavarësisht statusit politik, institucional apo social të atyre që përfshihen në vepra korrupsioni.
5. Përshëndet progresin që Shqipëria ka arritur për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut; nxit përpjekje të mëtejshme për të garantuar dhe mbrojtur të drejtat themelore, të drejtat e pronës dhe të drejtat e pakicave; përshëndet miratimin e akteve nënligjore që kanë të bëjnë me Ligjin Kuadër të 2017-s për mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe nxit Shqipërinë që shpejt të miratojë dhe zbatojë aktet e mbetura nënligjore, kryesisht për vetë-identifikimin dhe përdorimin e gjuhëve të pakicave, në përputhje me standardet evropiane dhe me përfshirjen e të gjitha palëve të interesit; dhe përgëzon Shqipërinë për rolin e saj domethënës në pranimin e refugjatëve afganë, duke i shpëtuar nga zgjedha dhe kërcënimi për jetët e tyre;
6. Përshëndet angazhimin e Shqipërisë për bashkëpunimin rajonal, vlerëson që Shqipëria ka vazhduar dialogun për të garantuar marrëdhënie të mira fqinjësore dhe nënvizon rëndësinë e gjithëpërfshirjes së nismave rajonale; thekson që marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe stabiliteti rajonal janë elementë thelbësorë të proceseve të Stabilizim Asocimit dhe të zgjerimit dhe nënvizon se Shqipëria duhet të shërbejë si një shembull rajonal për progresin e arritur; shënon pozitivisht përpjekjet e vazhdueshme për të zbatuar një reformë në sektorin e tokës dhe për të konsoliduar të drejtat e pronës dhe i bën thirrje autoriteteve ti vazhdojnë këto përpjekje, në mënyrë transparente, duke kryer konsultime me të gjitha palët e interesit, duke përfshirë trajtimin e rasteve të fallsifikimit të dokumentave dhe duke përparuar me shpejtësi procesin e regjistrimit dhe kompensimit;
7. Njeh kontributin vendimtar të shoqërisë civile dhe medias në zhvillimin e vazhdueshëm të demokracisë në Shqipëri; njeh garancitë kushtetuese të lirisë së shprehjes dhe lirive të medias; megjithatë shpreh shqetësim dhe nxit Shqipërinë të mbështesë dhe intensifikojë përpjekjet për të garantuar lirinë e medias; nxit progres të mëtejshëm në ushtrimin e lirisë së shprehjes, pavarësisë së medias dhe pluralizmit, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias; bën thirrje për më shumë transparencë të pronësisë, financimit dhe reklamimit publik të mediave;
8. Nxit dialogun politik konstruktiv dhe bashkëpunimin e qëndrueshëm ndër-partiak mes partive politike në Shqipëri në të gjitha fushat e politikës, i drejtuar veçanërisht nga puna për reformën zgjedhore. Përshëndet ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe të metave zgjedhore të identifikuara duke përmirësuar aksesin dhe integritetin e zgjedhjeve, përdorimin e duhur të administratës dhe burimeve publike, përfshi digjitalizimin, mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve, aksesit të barabartë në media dhe rregullat e rishikuara për financimin e partive politike, në përputhje me praktikat më të mira evropiane dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias; përshëndet progresin e vazhdueshëm në lidhje me barazinë gjinore dhe vlerëson pjesëmarrjen e shtuar të grave në politikat kombëtare;
9. Nënvizon se BE-ja është ofruesi më i madh i asistencës financiare për Shqipërinë; sjell në vëmendje mbështetjen e BE-së për rimëkëmbjen e qëndrueshme të Shqipërisë pas tërmetit, si në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve (Së bashku për Shqipërinë), më 17 shkurt 2020, kur BE-ja dhe donatorët ndërkombëtarë premtuan 1.15 bilion euro për rindërtimin pas tërmetit të datës 26 nëntor 2019 në Shqipëri; premton mbështetje të vazhdueshme të BE-së ndaj Shqipërisë në këtë aspekt dhe 1.35 bilion euro fonde të para-anëtarësimit në BE gjatë periudhës 2007-2020, përfshi 115 milion euro në grante të BE-së për rehabilitimin dhe rindërtimin e Shqipërisë pas tërmetit të vitit 2019; thekson mbështetjen e BE-së për rimëkëmbjen e Shqipërisë pas pandemisë, si dhe mbështetjen prej 180 milion euro në Asistencë Makro-Financiare (AMF) të dhëna Shqipërisë; nënvizon rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në përgjigje të pandemisë për të mundësuar masa të shpejta dhe efikase gjatë kësaj krize dhe për ndarjen e zgjidhjeve më të fundit për bashkëpunimin ndërinstitucional midis Ballkanit Perëndimor dhe BE-së;
10. Përshëndet zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe nënvizon se investimi duhet të kontribojë për objektivat e Marrëveshjes së Parisit dhe për synimet e dekarbonizimit të BE-së; nxit autoritetet shqiptare që të përpiqen fort për të zbatuar Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, e cila pasqyron prioritetet e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane në Brdo pri Kranju, më 6 tetor 2021; thekson rëndësinë e masave në lidhje me biodiversitetin, ujin, ajrin e klimën, dhe menaxhimin rajonal të mbetjeve.