Prezenca e KFOR-it në Kosovë është garanci se në vend nuk do të ketë destabilzimin të situatës për shkak të luftës në Ukrainë, tha në një intervistë për Ekonomia Online, ish-ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa.
Sipas tij, Kosova është e sigurt pasi hapësirën ajrore e kufijtë tokësorë i kontrollon NATO.
Por Mustafa paralajmëron se kriza sociale është e pashmangshme, pasi sipas tij, Ukraina është prodhuese dhe eksportuese e një numri të madh të produkteve.
“Kosovën do ta kaplojë një krizë sociale për shkak se në përgjithësi Ukraina është një shtet mjaft i madh që gati me sipërfaqe është sa Gjermania dhe Franca, është prodhues i shumë mjeteve, materialeve energjetike, ushqimore, bënë eksport nëpër të gjithë botën dhe kur ta përfshin Evropën do të thotë ne do ta ndjejmë më shumë. Për shkak se Kosova nuk i ka të konsoliduar rezervat shtetërore”.
Mustafa shton se është tejet i nevojshëm bashkëpunimi më shtetet e tjera në mënyrë që të rritet niveli i sigurisë.
“…ne duhet ta rrisim nivelin e sigurisë, duhet rritur pragu i nivelit të sigurisë, duhet me bashkëpunuar me Shqipërinë se në krejt shtet rreth neve janë të inkuadruar në paktin NATO, Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi duhet ta rrisim nivelin e bashkëpunimit. Ushtrimet edhe trajnimet që t’i testojmë forcat tona policore dhe ushtarake me shtetet fqinje”.