Ministria e Financave ka parashikuar, një skemë të TVSH-së, që do futet në shitjen e banesave të reja rezidenciale, për vitin 2022-2026.
“Ligji aktual e ka përjashtuar aplikimin e TVSH-së për shitjen e banesave. TVSH-ja aplikohet për procesin e ndërtimit të tyre nga subjektet ndërtuese, ndërkohë që shitja prej ndërtuesve është furnizim i përjashtuar. Trajtimi si furnizim i përjashtuar ka pasur parasysh përballimin e çmimeve të shitjes së apartamenteve nga publiku, pasi aplikimi i TVSH-së do i rriste çmimin e shitjes. Kjo politikë është ndjekur nga viti 1996 e në vijim”, thuhet në strategjinë afatmesme të të ardhurave të Ministrisë së Financave.
Strategjia afatmesme e të ardhurave 2022-2026 është hartuar mbi bazën e rekomandimeve nga FMN dhe do të konsultohet me grupet e biznesit.
“Shoqata e Ndërtuesve nuk është konsultuar ende për këto ndryshime, por vendosja e TVSH-së te shitja e apartamenteve është kundërshtuar edhe në të kaluarën, pasi rrit kostot e ndërtimit. Në përfundim të objektit kostoja e shtuar e ndërtimit do të paguhet nga blerësi. Ndërtuesit janë të ngarkuar me shumë taksa. Për zhvillimin e një ndërtimi fillimisht paguhet 1% të çmimit kur kryen aplikimin e lejes, 8% në momentin e marrjes të lejes, 3% taksë për të pastrehët, si dhe 40-45% arrijnë pagesat e truallit. Në disa raste pagesat për pronarin e tokës (kur është i vetëm) arrijnë edhe 50 deri 60%. Nëse do të shtohet edhe TVSh-ja në shitjen e apartamenteve do të këtë rritje të lartë të kostove.
TVSH në shitjen e banesave të reja është synuar edhe me herët që në fillim të viteve 2000, por ndikimi që do të kishte të çmimet e banesave e ka penguar qeveritë të aplikojnë. /5pyetjet.al