Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi – Ramaj, tha se Qeveria e Kosovës duhet të japë 100 milionë euro për ushtrinë, duke patur parasysh gjendjen e krijuar nga agresioni rus në Ukrainë.
“Ne vlerësojmë se është krejt legjitime dhe e domosdoshme, që në këtë moment kyç për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, Kosova duhet t’i forcojë kapacitetet e veta ushtarake. Për t’iu përgjigjur kësaj nevoje, Partia Demokratike e Kosovës kërkon nga Qeveria, brenda këtij muaji, të bëjë rishikimin e buxhetit për vitin 2022. Konkretisht, kërkojmë nga Qeveria që nga shpenzimet kapitale për këtë vit, të cilat janë përllogaritur në vlerë prej 554 milionë eurosh, të merren 100 milionë euro dhe të jepen për nevojat e ushtrisë”, tha ajo në një konferencë për media
Në këto rrethana në të cilat po kalon Ukraina dhe Evropa në përgjithësi, PDK vlerëson se nuk ka prioritet më të madh për Kosovën, sesa forcimi i kapaciteteve të mbrojtjes dhe sigurisë, në mënyrë që Ushtria e Kosovës të jetë e gatshme që t’i kontribuojë ruajtjes së paqes dhe sigurisë.
“Po ashtu, meqenëse rruga e Kosovës është shumë e qartë dhe aspiratat tona për anëtarësim në NATO kanë edhe implikime buxhetore, kërkojmë që për çdo vit, buxheti i shtetit që ndahet për ushtrinë tonë, të kapë vlerën e minimum 2 për qind të GDP-së së vendit, konform vendimit të ministrave të Mbrojtjes së NATOs që është marrë në qershor të 2006”, tha Kabashi – Ramaj.