Pushtimi ushtarak rus në Ukrainë ka ndikim negativ çdo ditë e më shumë edhe në tregjet ndërkombëtare. Një krizë e tillë ka goditur edhe ekonominë e Kosovës, duke sjellë shtrenjtim të produkteve të ndryshme, sidomos për naftën.
Prej ditës së djeshme, çmimet e derivateve në vend janë rritur me 10 centë për litër.
Ndërkohë që çmimet e karburanteve kanë arritur deri në 1 euro e 50 centë, kryetari i Shoqatës së naftëtarëve Fadil Berjani paralajmëron se çmimet pritet të arrijnë deri në 1 euro e 80 centë.
“Çmimet dje kanë qenë 1 euro e 40 centë, sot 1 euro e 50 centë. Ka pasur rritje ekstreme. Për qytetarët tanë këto çmime janë shumë të shtrenjta, por kjo nuk po varet prej nesh, kjo po ndodhë në tërë botën. Siç është duke vazhduar trendi, tek ne çmimet do të bëhen 1.70 centë deri 1.80 centë, ndërsa në vendet në rajon, në Shqipëri dhe Serbi do të arrijë deri 2.50 centë”, ka theksuar ai.
Krahas vendimit të Qeverisë për marzhi e fitimit të naftëtarëve, kryetari Berjani ka kërkuar nga ekzekutivi që ta rishikojë vendimin, pasi sipas tij, është gabim dhe falimenton shumë kompani.