Armando Broja është kthyer në kryefjalë e Premier Leagues. Falë formës së shkëlqyer që po kalon, 20-vjeçari shqiptar është kthyer në qendër të vëmendjes te Sauthemptoni dhe jo vetëm, duke fituar vëmendjen e të gjithëve. Sulmuesi shqiptar ka dhënë një intervistë për faqen zyrtare të klubit, ku ka treguar këto 6 muaj të parë në skuadër, ambiciet dhe objektivat e tij.
“Po, 100% po ecën shumë mirë. Po i gëzohem çdo minute të kësaj eksperience ekipin, dhe thjesht të jesh këtu është një nder, të kesh mundësinë të luash në Premier Ligë. Ndaj i jam mirënjohës dhe po mundohem të ndihmoj ekipin.
Golat e shënuar? Nuk i shoh shumë këto gjëra, golat dhe asistet vijnë nga puna me ekipin. Nuk i shoh shumë, por nuk mund të them se po shkon keq, ndaj jam i lumtur.
U desh kohë për t’u bërë titullar? Në fillim të sezonit isha pak, jo në lartësinë e duhur, me shumë mundësi nuk po punoja aq sa duhej në stërvitje, nuk po ndihmoja ekipin sa duhej. Pata një bisedë me trajnerin, ai ma shprehu këtë qartësisht dhe unë e kuptova mesazhin, fola me kapitenin Prous, gjeta veten dhe punova shumë për t’u përmirësuar.
Erdha këtu si një i ri, mund të them thuajse si një fëmijë dhe çdo ditë po mësoj, po bëhem burrë. Jam ende i ri, kemi një ekip të ri. Por duke qenë pranë lojtarëve me eksperiencë dhe stafit që të drejton në mënyrën e duhur, e ndjen veten si një familje e madhe, të ndihmojnë të përmirësohesh dhe e shpreh veten më mirë.
Jeta në Sauthempton? Është qytet i mirë, jo shumë i madh, mund të kesh hapësirën tënde nëse je jashtë futbollit, del të shohësh rrotull kur je pushim. Kam shpesh familjen këtu, por kam Livramento e Tella afër dhe mund të shkoj t’i takoj nëse kam nevojë për ndonjë gjë.
Po, familja vjen në çdo ndeshje dhe ka qenë aty që në fillimin e karrierës, ata më prezantuan me futbolli. Kanë qenë në çdo ndeshje, edhe kur isha i ri, në çdo turne. Ata ishin gjithmonë aty. Në shi, në të ftohtë, në borë. Sidomos mamaja ime që më çonte gjithmonë në stërvitje pas shkolle dhe babai im ishte aty. Ata më kanë mbështetur dhe unë gjithashtu.
Të jem i sinqertë gjërat kanë ecur shumë shpejt, ishte çmenduri. Kanë kaluar 6 muaj dhe nuk e kam kuptuar. Por sigurisht që jam shumë i lumtur me si ka shkuar. Siç e thashë, erdha si i ri dhe çdo ditë po mësoj, po bëj progres me besim dhe falë Sauthempton që më ka ndihmuar në rrugëtimin tim. Shpresoj që të shkojnë sa më mirë, por gjithçka po shkon mirë.
Klubi është i njohur për lojtarët që prodhon dhe i sheh emrat e mëdhenj, si Mane, Van Dajk apo Hojbjerg. Të gjithë kanë qenë këtu. Janë edhe Stefens e Praus të cilët kanë dalë nga akademia. Është një vend i mirë të zhvillohesh, të mësosh, të jesh në një ambient familjar, ndjehesh në shtëpi. Ndjehesh i sigurt, kanë besim te ty dhe mund të shprehësh veten dhe kjo është ajo që të duhet si futbollist. Të jem i sinqertë, ishte gjëja e parë që kisha në mendje.
Shpejtësia? Kam qenë gjithmonë i shpejtë, që kur isha fëmijë. Ka qenë një nga pikat e mia të forta. E di që është e vështirë të besohet pasi jam shtatlartë dhe kam këmbët e gjata, nuk dukem i shpejtë, por do të them se është një nga cilësitë e mia, mund të shpërthej nga mbrojtësit e mund të vrapoj me topin. Është pak e çuditshme por kështu është.
Isha i shkurtër kur isha më i ri në moshë, dhe mendoj se rreth 16-17 vjeç u rrita me shumë shpejtësi. Mendoj se kam pirë shumë qumësht (qesh), nuk e di çfarë ishte. Por u rrita shumë shpejt dhe u zgjata. Edhe prindërit e mi u çuditën shumë se sa shpejt u rrita, apo edhe te akademia e Çelsit ku gjendesha atëherë, u çuditën gjithashtu.
Ndërsa rritesha mundohesha të ruaja edhe shpejtësinë se është e lehtë të humbësh shpejtësinë. Babai më çonte shpesh në park duke më thënë ‘duhet të ruash shpejtësinë dhe sprintin, gjëra të tilla, sepse përndryshe mbrojtësit do të të kapin’. Për të ishte me shumë rëndësi që të isha i shpejtë e për gjëra të tilla, ndaj më ndihmoi edhe në këtë aspekt”, u shpreh fillimisht Broja.
/5pyetjet.al