Vlera e investimeve të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, sipas zyrtarëve të këtij institucioni, ka shënuar humbje rreth 90 milionë euro.
Humbjet kanë ardhur si pasojë e krizës në tregjet ndërkombëtare të shkaktuar nga ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Ukrainë.
Nga Fondi i Kursimeve Pensionale, prej mbi 2.3 miliardë euro, 78 për qind janë të investuara në tregjet financiare ndërkombëtare dhe rreth 22 për qind në Kosovë.
Fondi prej mbi 2.3 miliardë eurosh u takon mbi 700 mijë kontribut-paguesve të Kosovës.
Jeton Demi, zëdhënës në këtë institucion, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas ngritjes së vlerës së këtij fondi për 11 për qind në vitin 2021, aktualisht po shënohen humbje.
“Rënia e vlerës së investimeve të Fondit Pensional është e pritshme. Aktualisht, kemi një reduktim prej 4 për qind të vlerës”, thotë Demi.