Rreth 37 mijë armë janë të legalizuara në Kosovë, ndërkaq 20 mijë të tjera janë me leje të UNMIK-ut.
Drejtori i Departamentit për Siguri Publike, Mensur Hoti ka deklaruar se janë të kënaqur me zbatimin e Ligjit për Armët, edhe pse ka konfirmuar se ka numër të madh të tyre që janë pa leje. Ai gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes tha se gjatë vitit, Policia e Kosovës arrin të konfiskojë rreth një mijë armë.
Gjatë raportimit të tij, kryetari i komisionit, Bekë Berisha ka pyetur për zbatimin e Ligjit për Armët. Ai ka përmendur edhe skandalin e shitjes të lejeve të armëve në emër të MPB-së në vitin 2019.
“Aktualisht kemi përfunduar koncept dokumenti dhe grupet punuese. Përmbajtja nuk është pengesë për zbatim të ligjit. Mendojmë që gjatë punës në draftim të shtojmë edhe pjesë të tjera në ndryshime të rregullativës së BE-së. Ligji është i zbatueshëm. Ne jemi të kënaqur me zbatimin e Ligjit për Armët[…]Në lidhje me skandalin, ne nuk konsiderojmë që ministria ka të bëjë me këtë pjesë. Aktualisht për atë vepër penale kemi pasur një proces gjyqësor”, ka thënë ai.