Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Shqipërisë u diskutua raporti i komisionit të inceneratorëve, që ka përgatitur Partia Demokratike. Raporti u prezantua nga kryetarja e këtij komisioni, Jorida Tabaku.
Ajo tha se komisioni zhvilloi rreth 20 mbledhje dhe mori 60 orë dëshmi për të vërtetuar sipas saj “vjedhjen e 430 mln eurove. Mirel Mërtiri është kryepronari i inceneratorëve, të tjerët janë vartës të tij” tha ajo.
Në këtë, që PD e quan aferë, Jorida Tabaku tha se janë përfshirë 50 persona, nga politikanë të majtë deri tek njerëz të tjerë të thjeshtë.
“Ky grup kriminal, të gjithë personat e përfshirë në këtë aferë, quhen të tillë. Ky grup është i përbërë nga disa zyrtarë të lartë shtetëror dhe lokal, të mbështetur nga kryeministri Rama.
Kanë shkelur sytë dhe kanë harruar pozicionin. Edhe ditë të diele kanë firmosur. Kryepronari i Inceneratorëve është Mirel Mërtiri, Klodian Zoto është nëpunës i tij, Stela Gugallja është bashkëjetuese e Mirel Mërtirit.
Funksionarë publik, të cilët e kishin kundërshtuar, fillojnë dhe firmosin. Përgjigja e komisionit hetimor, SPAK, medias e qytetarëve duhet kërkuar në lidhjet e drejtpërdrejta me politikanët.
Unë i kërkoj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë që të vendosë në dispozicion lëvizjet e shtetasve, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, Mirel Mërtiri e Klodian Zotos” tha Tabaku.
Gjithashtu Tabaku tha se inceneratorët kapën edhe mediat. “Janë paguar 1 mln euro për reklamat në media. Media të tjera janë paguar me aksione që kanë heshtur dhe kanë mbyllur gojën”.
Gjatë kohës që Tabaku po prezantonte raportin krahu i djathtë, që janë ulur opozitarët, “ziente” me një grup deputetësh të mbledhur rreth Lulzim Bashës, të cilëve, Tabaku u tërhoqi vëmendjen.
“Unë ju kërkoj kolegëve demokratë, ju lutem, e di që ka gjëra shumë të rëndësishme për të diskutuar, por kjo është puna 4 vjecare e PD-së, prandaj ju lutem…faleminderit”.
Lexo këtu fjalën e plotë të Jorida Tabakut