Për shkak të sanksioneve të rënda që i janë vendosur Rusisë, ekspertët e ekonomisë e shohin Rusinë shumë afër falimentimit.
Çfarë do të thotë kjo për sistemin financiar ndërkombëtar?
Në tregjet e obligacioneve, gjërat po bëhen të vështira këto ditë kur bëhet fjalë për Rusinë.
“Nuk kam parë kurrë diçka të tillë më parë”, thotë ndërmjetësi i obligacioneve, Arthur Brunner.
Në vitet 1990, Rusia ishte nën presion masiv. Ajo i bleu vetë obligacionet në treg me çmime qesharake. Sot, është një problem edhe vetë shlyerja.””
Për shkak të sanksioneve të vendeve perëndimore kundër Rusisë, Moska është në masë të madhe e izoluar nga tregjet financiare ndërkombëtare. Kjo është arsyeja pse agjencia e vlerësimit Fitch uli vlerësimin për Rusinë nga ‘B’ në ‘C’ brenda natës nga e marta në të mërkurën. Në këtë mënyrë obligacionet e qeverisë ruse janë zhytur edhe më thellë në “zonën e turpit”. Fitch tani flet për një moskryerje të pagesave “të afërt” të Rusisë.
Arka e shtetit rus e mbushur mirë
Gjatë ditëve dhe javëve të fundit, agjencitë e tjera të vlerësimit gjithashtu e ulën çmimin e obligacioneve ruse.
Fitch e justifikon vendimin e saj aktual me “zhvillimet që kanë minuar më tej vullnetin e Rusisë për të shlyer borxhin e saj publik”. Agjencia i referohet këtu një dekreti presidencial që ka hyrë në fuqi disa ditë më parë, i cili mund t’i lejojë vendit të shlyejë borxhet e tij në rubla dhe jo në valuta të huaja.
![](https://5pyetjet.al/wp-content/uploads/2022/03/60076310_401-700x394.jpg)
Në parim, Rusia mund t’i përmbahet të gjitha afateve të saj. Arka e shtetit është e mbushur mirë, veçanërisht për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë në tregjet botërore muajt e fundit. Agjencia financiare e lajmeve Bloomberg vlerëson borxhet ruse ndaj kreditorëve të huaj në vetëm 50 miliardë dollarë. “Shteti rus ka një borxh të jashtëm mjaft të ulët”, tha Marcel Fratzscher për DË, ai është president i Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike (DIË) në Berlin.
Falë eksportit të naftës dhe gazit, Rusia ka arritur teprica të mëdha tregtare dhe kështu ka mundur të reduktojë qëllimisht borxhin e saj në vitet e fundit. Rezervat e bankës qendrore ruse arrijnë në 640 miliardë dollarë. Por shumica e këtyre rezervave valutore jashtë vendit janë ngrirë si pjesë e sanksioneve. Kjo është arsyeja pse Marcel Fratzscher beson gjithashtu në një moskryerje të pagesave nga Rusia në muajt në vijim.
Është e vërtetë që një paaftësi e tillë për të paguar e Rusisë ka të ngjarë të ketë pak ndikim në sistemin financiar ndërkombëtar për shkak të borxhit të jashtëm relativisht të ulët të Rusisë. Megjithatë, Rusia mund të përpiqet të krijojë pasiguri në periudha të caktuara, për shembull, përmes sulmeve të hakerëve ose transaksioneve në tregjet e këmbimit valutor. “Kam frikë nga një zgjerim i konfliktit në sistemin financiar botëror, ku Rusia dhe partnerët e saj do të përpiqen të shkaktojnë shtrembërime për të dëmtuar ekonominë e Perëndimit,” tha Fratzscher.
Një situatë e tillë mund të krijohet që javën e ardhshme. Deri atëherë duhen paguar 100 milionë dollarë interesa. Në fillim të muajit prill është radha e pagimit të një obligacioni me një vëllim rreth dy miliardë dollarë. “Ne e shohim moskryerjen e pagesës si skenarin më të mundshëm,” u shkroi gjithashtu klientëve banka amerikane e investimeve Morgan Stanley në fillim të javës.
Nëse Rusia nuk mund të vazhdojë të përmbushë detyrimet e saj, do të preken gjithashtu investorët këtu në Gjermani.
Bankat e këtushme mbajnë edhe obligacione të qeverisë ruse. Megjithatë, shumat janë të menaxhueshme.
Nëse Rusia nuk do të jetë në gjendje të kryejë pagesat e para në javën e ardhshme, kjo nuk do të thotë falimentim për vendin. Nga ana tjetër, duke qenë se Rusia në thelb ka rezerva të mjaftueshme valutore, por nuk mund t’i tërheqë ato për shkak të sanksioneve, ky do të ishte një mospagim formal ose teknik.
Përshtatur nga DW