Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Bjorn Berge ka reaguar kundër zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, duke rrëzuar pasi ky i fundit kishte njoftuar në “Twitter” se kishte mirëpritur iniciativën e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.
Berge tha se fatkeqësisht, përshkrimi i Bislimit nuk përputhet me atë që ka deklaruar në takim lidhur me anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Kënaqësi ta takoj Bjorn Berge përgjatë qëndrimit tim në Strasburg, i cili mirëpriti iniciativën e Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Diskutimi ynë u përqendrua edhe në theksimin e progresit të lavdëruar të Kosovës, reformave dhe harmonizimit me vlerat evropiane dhe politikat e jashtme”, kishte shkruar Bislimi dje.
“Ky fatkeqësisht, nuk është një përshkrim i saktë i asaj që deklarova në takim në lidhje me aplikimin e mundshëm për Këshill të Evropës” tha Berge sot duke e përgënjeshtruar.
Edhe Përfaqësia e Përhershme e Republikës së Francës në Këshillin e Evropës ka pëlqyer reagimin e Zëvendës Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Bjorn Berge.
