Qeveria njoftoi se nesër do të futet në fuqi akti normativ që ka fuqinë e ligjit që ka për qëllim ngritjen e një bordi administrimi për shpërndarjen e karburantit për dy muaj për të shmangur, jo rritjen e çmimit, por abuzimet dhe spekulimet e “bosëve” të naftës. Por, ish-drejtoresha e Tatimeve, Brisida Shehaj dikur “bleta punëtore” e Ramës e “Rilindjes” dhe sot pjesë e LSI-së, sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama për mënyrën e menaxhimit të situatës.
“Doli kryeministri dhe tha: Do ngremë një bord! Se nuk i ul taksat ky, s’ka si i ul taksat. Nuk ka si ul, duhet të kuptoni që ky e vjedh kaq shumë këtë buxhet, e ka zhytur kaq shumë në borxh këtë buxhet, ka marrë kaq shumë angazhime për këto koncesione sa ky nuk e bën dot këtë gjënë, kaq e thjeshtë është. Ky thotë do bëj një bord dhe pjesë të bordit do jenë pronarët e kompanive të naftës, të atyre që na vjedhin.
Por jam kurioze kë do të zgjedhin sepse administrata tatimore, po e drejtuar nga Qeveria e Edi Rama, 70% e tyre i ka çuar në prokurori për evazion fiskal për mashtrim, për pastrim parash. Tani gjyqtarët e prokurorët mbyllin dosjet dhe ky zotëria do t’i marrë këta dhe do ti fusë tek bordi? Si do t’ia bëjë, do të legjitimojë vjedhjen me bord ky!
Dhe deri në ditën që ne do të marrim vesh se kush janë hajdutë që do të vësh ti në bord, sepse ti i di shumë mirë me emra dhe mbiemra ata hajdutët, për të cilët nuk fole kurrë, kurrë nuk fole. Nuk të pashë ndonjëherë të denoncosh prokuror apa gjyqtar që mbyll dosjen e këtyre të naftës, apo atyre ndërkombëtarëve që vjedhin naftën tonë, apo të flisje për atë ministrin që shkarkohet, që vëllai i tij mori rafinerinë dhe e bëri për skrap, apo për bankat e nivelit të dytë.
Po nuk e bën ti këtë gjë, se bën ti, nuk ia kërkon guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, se kërko, askujt sepse e di mirë ti, i ke lejuar ti këta, nuk i kam lejuar as unë, as ndonjë tjetër, nxirr administratën tatimore në terren Edi Rama, nxirre, bëj inventarët e kompanive të naftës dhe do kuptosh shumë aty dhe ndoshta i di ti, ti ka thënë “Tigri” këto por s’të leverdis ty, nuk të leverdis dhe na shet dëngla që nuk e heqke dot taksën, ti si ta heqësh ajo është e jotja në fakt” thotë Shehaj.