Brenda 24 orësh qeveria do të nxjerrë aktin normativ me fuqinë e ligjit për të qenë pjesë e bordit të shpërndarjes së karburantit në Shqipëri për të parandaluar abuzimet me çmimet. Përpara furnizuesve të karburantit, Rama u kërkoi që të solidarizohen me momentin dhe të mos mendojnë për fitimin në këtë kohë lufte.
Nëse do të ketë shkelje, Rama kërcënoi se ai që do të abuzojë do të humbasë pikën e karburantit. Prania e qeverisë në këtë bord nuk do të parandalojë uljen e çmimeve që do të jenë në bazë të bursës, por abuzimet dhe spekulimet me çmimin. Bordi do të mblidhet cdo ditë për të vendosur çmimin që do të jetë i njëjtë në cdo pikë karburanti.
“Është e vërtetë që te nafta kemi një ngarkesë ekstra që të tjerët nuk e kanë, prandaj çmimi është më i lartë, por të tjerët nuk e kanë zero taksën për biznesin e vogël dhe zero TVSH-në, nuk i kanë kaq të ulëta taksat mbi pagat që janë simbolike.
Sot këtu jemi se çfarë do të bëjmë me naftën. Ju duhet të vetëdijshëm që i përkisni asaj pjese të shoqërisë që duhet të bëjë sakrificë. Shumë e thjeshtë. Duhet të ndihmoni veten me kujtimin e asaj që ishit përpara kësaj që jeni. Të gjithë e keni nisur këtë rrugë nga hiçi dhe ja ku jeni, dhe kjo nuk është koha për të fituar por për të rezistuar. Edhe ju do të mbani pjesën tuaj, se nuk mund të ndodhë që të fitoni asgjë më shumë sesa ju duhet për të vijuar furnizimin.
Prandaj ne do të kalojmë brenda 24 orësh një akt normativ me fuqinë e ligjit dhe qeveria do të futet në bordin e administrimit bashkë me ju, përmes një bordi kombëtar të furnizimit me karburant dhe cdo ditë ju dhe qeveria, konkretisht ministrja e Financave, Energjisë, drejtori i Tatimeve, Doganave dhe kryetari i Autoritetit të Konkurrencës do të jenë në tryezë me pesë përfaqësues nga ju dhe nuk do të ketë asnjë tabelë në asnjë pikë që do të shfaqet një çmim që nuk është miratuar nga bordi, do të humbasë pikën e karburantit.
Unë kërkoj angazhimin dhe solidaritetin tuaj me hir, ligji do ta bëjë me pahir” tha ai. Në fund Rama e mbylli me një batutë me “bosët” e karburantit. “Kjo është mundësi e artë për t’u larë nga cdo mëkat“.