Pas më shumë se pesë orësh debate të forta, deputeti Tomor Alizoti ka qenë i pari që ka dalë nga mbledhja e grupit të PD-së. “Basha nuk ikën” ishin fjalët e tij të para në momentin që doli më pas “shpërtheu” në akuza kundër tij për gjendjen që e ka futur partinë.
“Kjo nuk është parti politike. Demokracia shqiptare duhet të pranojë dorëheqjen. Modeli Putinist është të rrish në pushtet dhe të mos ikësh. Zotëria ka përdorur një fjalë “hap pas”, por në fund mesa kuptoj unë është që ai nuk do të dorëhiqet, thotë do të mbledh kolegjin e kryetarëve.
Fatkeqësisht kjo po shkon në një psikozë. Partia duhet të heqë hekurat dhe dreqi e hëngrët një njeri të marrë përgjegjësi dhe të hapë krahun. Pesë orë dhe ai ka frikë të thotë do të bëj një hap pas. Është bërë një “kopsht fëmijësh”.
Grupi nuk e përjashton dot Bashën, mund vetëm ta pezullojë, por ai mbajti qëndrimin e tij, shumica është me një qëndrim. Kemi të bëjmë me një rast të rrallë në univers” deklaroi ai.