“Të fortë dhe krenarë për rrugëtimin e tyre për lirinë e Kosovës, ashtu si përherë, i pashë dy liderët historikë të Kosovës dhe të PDK-së, Hashim Thaçin e Kadri Veselin, gjatë një vizite tejet emocionale që pata në Hagë”, shkroi në Facebook kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
“Ashtu siç besojmë në drejtësi, të gjithë besojmë se ata, bashkë me shokët e tyre çlirimtarë, po mbahen padrejtësisht atje, sepse lufta mbrojtëse e popullit të Kosovës ishte e drejtë dhe e pastër”, ka shkruar Krasniqi.
“Andaj edhe e presim kthimin e tyre triumfues sa më parë. Të fala të përzemërta”.
Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, akuzohet për krime lufte bashku me ish-kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, kreun e grupit parlamentar të partisë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe ish-kryetarin e këshillit kombëtar të partisë Nisma Socialdemokrate, Jakup Krasniqi.
Aktakuza prej 68 faqesh përmban 10 akuza dhe rendit veprat e tyre të pretenduara si “krime lufte për arrestim dhe ndalimi të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje, dhe krime kundër njerëzimit për burgosje, veprime të tjera çnjerëzore, tortura, vrasje, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje”.