E ndërsa e ka cilësuar lëmoshë paketën anti-krizë që qeveria miratoi, kryetari i PD-së, Lulzim Basha në një postim në Facebook, që e ka ilustruar me një portofol bosh, shprehet se Edi Rama jo vetëm që nuk po e ndihmon popullin, por po planifikon që të rikthejë disa taksa.
“Edi Rama vazhdon të tallet me qytetarët me gjoja paketa shpëtimi. Është e njëjta skemë siç bëri në kohën e pandemisë, ku shumica dërmuese e shqiptarëve u zhyten në mjerim.
Qeveria ka parashikuar të shpërndajë lëmoshë tek grupe të kufizuara, që po mbijetojnë, kur në fakt rritja e çmimeve prek të gjitha shtresat dhe do të zhysë në varfëri qindra mijëra familje.
Zgjidhje ka.
Ia kemi propozuar kohë më parë ku i kërkuam të marrë masa. Sepse shqiptarët janë aq të varfër sa nuk i përballojnë dot kostot shtesë për të përmbushur nevojat bazë.
Mjafton të shohësh vendet fqinje për të kuptuar se ka zgjidhje që ndihmojnë të gjithë qytetarët.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar ligjin për uljen e akcizës për karburantet dhe Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga 18 në 10 %. Po kështu ka vendosur për uljen e TVSH-së për ushqime bazë nga 5 në 0 %.
Por ndërkohë që bën sikur po ndihmon qytetarët, në këtë kohë krize qeveria po programon më shumë taksa; do rikthejë taksën për Biznesin e Vogël dhe një sërë taksash të tjera që do ta rëndojnë edhe më shumë gjendjen.
Me lëmoshë nuk zgjidhet kriza, ajo vetëm thellohet më shumë” tha ai.