Ministria e Mjedisit dhe Infrastrukturës ka reaguar pasi Shoqata e Transportuesve ngriti padi kundër saj për një vendim që ka të bëjë me uljen deri në 50 për qind të çmimit të biletave për një kategori të caktuar.
Ministria ka reaguar duke thënë se vendimi i lëshuar nga ky dikaster ministror duhet respektuar, në të kundërtën do të ketë pasoja bazuar në ligjet e aplikueshme në vend.
REAGIMI:
Ministria e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, është duke i përcjellur me vëmendje zhvillimet që janë duke ndodhur në raport me rritjen e vazhdueshme të çmimeve të biletave me qëllim të mbrojtjes së disa nga kategoritë e veçanta të shoqërisë. Në mbështetje të autorizimeve ligjore kemi ndërmarrë hapat formal ligjor duke u mbështetur në nenin 22 paragrafi 3 të Ligjit për Transportin, për të caktuar çmimore të veçantë për fëmijët, studentët, invalidët e luftës të punës dhe pensionistët, që këto kategori të jenë më të mbrojtura në raport me çmimet në rritje në transportin ndër urban të udhëtareve me autobus. Duke qenë në këto rrethana MMPHI është detyruar që të reflektoj autoritetin ligjor, duke nxjerr aktin nënligjorë (vendim) të përcaktoj çmimore të veçantë deri në normalizimin e gjendjes me çmimet nga operatorët e transportit ndërurban të udhëtarëve me autobus.
Njoftohen të gjithë operatorët se MMPHI-ja, përmes mekanizmave dhe instrumenteve ligjore do të bëjë mbikëqyrjen e zbatimit të vendimit në fjalë nga të gjithë operatorët e transportit të udhëtarëve, rrjedhimisht në mbështetje të dispozitave ligjore të ligjit N/L-179 për transportin rrugor. Organet e kontrollit do të ndërmarrin të gjitha veprimet e domosdoshme me qëllim të zbatimit të këtij vendimi.
Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve dorëzoi padinë për anulimin e vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës në lidhje me çmimoren për disa kategori të udhëtarëve dhe pas dorëzimit të padisë do të japin detaje për hapat e tjerë në konferencë para mediave. Ata kanë paralajmëruar se do t’i shkruajnë edhe ambasadave të QUINT-it, pasi sipas tyre politika po ndërhynë në Shoqatën e Transportuesve.